Dështoi takimi i sekretarëve të partive shqiptare

Opozita shqiptare e ka refuzuar ftesën e sekretarit të BDI-së, Artan Grubi që të takohen për të diskutuar dhe për tu koordinuar për çështjen e regjistrimit. Sekretari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari i është përgjigjur Grubit duke theksuar se nisma ishte tentim për përfshirjen e koalicionit ASH-Alterntiva në pazaret me partitë maqedonase në dëm të regjistrimit.
https://www.youtube.com/watch?v=ckAuw56oq0c
“Thirrja në çastet e fundit e Artan Grubit ishte vetëm një tentim dinak për të involvuar Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën në pazaret e tyre me LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në për ta anuluar regjistrimin. Informatat tona flasin se BDI edhe një herë ka bërë kompromis të dhimbshëm në dëm të shqiptarëve, ngjashëm si në vitin 2012”, tha Arben Taravari, ASH.
Në të njëjtën vijë ishte edhe sekretari i Alternativës Skënder Rexhepi. Sipas tij nuk ndodhi takimi atëherë kur duhej më së shumti, para miratimit të Ligjit të Regjistrimit.
“Ne konsiderojmë se veç se jemi në fazën e aktivitetit me shtabet tona dhe një takim i tillë ishte i panevojshëm për atë arsye edhe nuk morëm pjesë. Por ka gjasa që në të ardhmen të bëjmë forma tjera të sensibilizimit të përbashkët të qytetarëve, pavarësisht a jemi pozitë apo opozitë”, tha Skënder Rexhepi, ASH-AAA.
Pas dështimit të takimit, sekretari i BDI-së, Artan Grubi deklaroi se takimi kishte për qëllim formimin e trupit të përbashkët i cili do të ballafaqohet me sfidat e regjistrimit në terren dhe në diasporë.
“Nuk ua di qëllimet, qëllimi ynë ishte shumë dashamirës, shumë i sinqert, që gjithë bashkërisht të kyçemi në fushatën për regjistrimin e qytetarëve tanë. Gjatë gjithë kohës e hapim derën e bashkëpunimit e shtrojmë dorën e bashkëpunimit, por hasim në vesh të shurdhës dhe në refuzim nga ana e opozitës për fat të keq”, pohoi Artan Grubi, BDI.
I vetmi që pranoi ftesën, Sekretari i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha tha se takimi do të mund të shfrytëzohej për tu diskutuar edhe për shumë çështje tjera në interes të shqiptarëve.
“Me një opozitë e cila po mundohet me çdo kusht të vendos bllokimin e çdo far lloj instituconi dhe çdo far lloj nisme, si një mekanizëm për të dëshmuar politikbërjen e tyre, nuk ka hapësirë për të bashkëbiseduar, respektivisht nuk shohim se ka vizion që ata duan të zgjedhin çështje të caktuara”, tha Arjanit Hoxha, Lëvizja BESA.
Lidhur me takimin e kryetarëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski, Grubi tha se liderët e partive maqedonase nuk mund të marrin asnjë vendim pa partitë shqiptare, Hoxha vlerëson se në asnjë moment partitë politike shqiptare nuk duhet të jenë të anashkaluara. Ndërsa Rexhepi thotë se takimi veç mes liderëve maqedonas jep një frymë të keqe të bashkëjetesës në vend.
Mefail Ismaili