Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës, për shkak se nuk ka kaluar raporti i Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve

Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës, për shkak se nuk ka kaluar raporti i Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve

“Për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i Komisionit nuk mori votat e mjaftueshme në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe ta njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, u shpreh Avni Dehari, Kryesues i Seancës.

Dështoi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, për shkak se deputetët e partive opozitare votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Përfaqësuesit e opozitës vunë në dyshim dorëheqjen e Kurtit nga posti i kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Një njeri që jep dorëheqje nuk vazhdon punën si kryeministër i Kosovës. Ne kërkojmë që të jetë një akt normal minimalisht Kushtetues për Republikën e Kosovës, të ketë një dorëheqje, mos të zvarritet procedura e votimit dhe LDK-ja do të votojë raportin menjëherë sapo të jepet dorëheqje me 20 vota të palëkundura të LDK-së”, tha Lumir Abdixhiku, LDK.

“Ne kemi ardhur duke besuar që sot konstituohet kryetari dhe nënkryetarët, përveç që jepet betimi dhe që fillojmë të hyjmë në procesin kushtetues të krijimit të qeverisë, por po duket që këta me 52 vota janë larg një situate të tillë”, u shpreh Memli Krasniqi, PDK.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje tha se si grup parlamentar ishin të pranishëm dhe të gatshëm për të vazhduar procedurat për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit, por opozita, sipas saj, po mundohet të vonojë këtë proces.

“Një situatë që nuk ka ndodhur në të kaluarën, opozita e refuzoi votimin e këtij raporti, ndonëse gjithçka ishte në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi. Kjo opozitë asnjë fjalë nuk e tha asnjëherë kundrejt listës serbe, as në KQZ, as në kohën kur diskutohej për certifikimin por kanë hall kryetari e Lëvizjes, Albin Kurtin, Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Albulena Haxhiu, Vetëvendosje.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e cilësoi si “sulm brendainstitucional” kundër Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike mosvotimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit. “Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, shkroi Kurti në Facebook.

Në seancën konstituive Vetëvendosje pritej të propozonte emrin për kryeparlamentarin e ri që do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë. Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, ende nuk ka njoftuar se i ka siguruar votat për ekzekutivin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button