Dhoma e Përfaqësuesve ndëshkon një republikane pas deklaratave nxitëse

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, ka votuar për largimin e republikanes Marjorie Taylor Greene nga dy komitete, si ndëshkim për deklaratat që ka bërë para se të fitonte pozitën në Kongres, duke përfshirë mbështetjen për dhunën kundër demokratëve. Greene, aleate e ish-presidentit amerikan Donald Trump, është larguar nga Komiteti për Buxhet dhe ai për Edukim dhe Punë, që funksionojnë në kuadër të Dhomës së Përfaqësuesve. Njëmbëdhjetë republikanë u janë bashkuar demokratëve në rezolutën e hartuar për ndëshkimin e saj.

Lideri i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Steny Hoyer, ka thënë se ai nuk ka e ka imagjinuar kurrë një situatë që një anëtare e këtij institucioni do të bënte “deklarata aq lënduese”.
Greene, 46-vjeçare, ka përkrahur pretendimet e rreme të Trumpit se ai ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit dhe ka mbështetur teorinë konspirative, QAnon, e cila pa të dhëna pretendon se Trump ka luftuar një elitë globale të djajve pedofilë, që kanë operuar në një rrjet të trafikimit të fëmijëve.

Ajo po ashtu ka pretenduar se të shtënat me armë zjarri nëpër shkolla amerikane janë inskenuar, se një laser hapësinor ka nisur me qëllim zjarret në Kaliforni dhe ka vënë në pikëpyetje nëse një aeroplan ka goditur Pentagonin, në sulmet terroriste të vitit 2001 në SHBA. Vendimi i Dhomës së Përfaqësuesve për ta larguar atë nga dy komitetet është një hap i pazakonshëm, pasi normalisht komitetet rregullojnë vetë përbërjet e tyre.
Puna në këto komitete është e rëndësishme për hartim të projektligjeve. Greene ka tentuar të zvogëlojë dëmin, pak para se të votohej për të.

“Këto kanë qenë fjalë të së kaluarës dhe këto gjëra nuk më përfaqësojnë mua, nuk përfaqësojnë distriktin tim dhe nuk përfaqësojnë vlerat e mia”, ka thënë ajo.

Greene po ashtu ka thënë se nuk beson në teorinë konspirative QAnon, ka pranuar se të shtënat nëpër shkolla kanë ndodhur, ashtu sikurse sulmet e 11 shtatorit.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button