Dhoma e Përfaqësuesve të mërkurën do të shqyrtojë shkarkimin e Trump

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Steny Hoyer njoftoi se Dhoma e Përfaqësuesve do të mblidhet të mërkurën për të votuar për impiçment ndaj presidentit Trump, thonë burime për CNN.

Nesër, Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë mbi propozimin e përfaqësuesit Jamie Raskin, një demokrat nga Maryland, i clili ka propozuar larguar Trumpin përmes Amendamentit të 25-të.

Sipas detajeve nga zyra e Hoyer, përfaqësuesit duhet të mblidhen rreth orës 21:00 të mërkurën për të shqyrtuar imçimentin, transmeton Alsat.

Hoyer premtoi se do të ketë siguri të shtuar në dhe përreth Capitol Hill.

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara prezantoi një rezolutë për gjykimin e presidentit Donald Trump, nën akuzat për “nxitje të kryengritjes”.

Demokratët që udhëheqin këtë dhomë të Kongresit amerikan, e fajësojnë Trumpin për nxitje të trazirave, javën e kaluar, në Kongres.

Pesë vetë kanë mbetur të vdekur, pasi mbështetësit e Trumpit kanë sulmuar dhunshëm ndërtesën e Kongresit dhe janë përplasur me policinë.

Paraprakisht, Trump ka mbajtur një fjalim përpara mbështetësve, duke i përsëritur pretendimet e pabaza për mashtrime në zgjedhjet e 3 nëntorit, në të cilat sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, ka dalë fitues.

Trump ka thënë përpara turmave se ai “nuk do të dorëzohet kurrë” dhe, shumë shpejt pas fjalimit, turmat kanë sulmuar Kongresin.

Në rezolutën e prezantuar nga demokratët thuhet se Trump i është adresuar një tubimi, përpara se mbështetësit e tij të kryenin sulmin.

Ai bëri deklarata që “inkurajuan dhe rezultuan në mënyrë të parashikueshme” me veprimet e paligjshme në Kongres, thuhet në rezolutë.

Rezoluta për gjykimin e presidentit – proces që ndryshe njihet si impeaçment – vjen pasi republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve e bllokuan kërkesën e demokratëve për të nxjerrë një rezolutë tjetër, që do t’i bënte thirrje nënpresidentit Mike Pence të aktivizojë Amendamentin 25 të Kushtetutës amerikane, për largimin e Trumpit menjëherë nga zyra.

Trumpi i cili duhet të largohet nga zyra e presidentit me 20 janar, është kritikuar ashpër ditët e fundit për shkak të dhunës në Kongresin amerikan të mërkurën.

Trumpi e ka mbijetuar politikisht një “impiçment” të mëparshëm, ku akuzohej për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit. Këtë nismë e kanë pamundësuar asokohe republikanët, sepse për largimin e një presidenti nga detyra kërkohet shumica prej dy të tretave. Disa demokratë thonë se tani e kanë mbështetjen e duhur për largimin e menjëhershëm të Trumpit nga posti i tij.

LEXO EDHE:

Back to top button