Dhuna pezullon sfidën Shkupi – Shkëndija, tifozët sulmojnë futbollistët mysafirë

Gazetar: Mahir Thaçi

Rivaliteti i shfrenuar mes Shkupit dhe Shkëndijës sot eskaloi në dhunë në fushën e futbollit në Çair në ndeshjen vlefshme për Kupën e Maqedonisë. Pas golit të parë të Shkëndijës në minutën e nëntë, tifozët e Shkupit, “Shvercerët”, hynë në fushë goditën fizikisht futbollistët ndërsa nga tribunat gjuanin me fishekzjarrë e gjësende të tjera.

Në momentet kaotike në terren, përpos përleshjes mes tifozëve dhe futbollistëve, forcat speciale reaguan në drejtim që të ndalojnë përshkallëzimin e situatës dhe në kohë të njëjtë siguruan pjesën më të madhe të ekspeditës nga Tetova.

Futbollistët dhe stafi teknik i Shkëndijës me policë u përcollën për në zhveshtore, por deri atje sërish u sulmuan nga tifozët me gjësende të ndryshme e madje edhe me fishekzjarrë.

Në konsultim të drejtuesve të të dy klubeve, arbitri Kaçevski dhe delegati i ndeshjes, vendosën që të pezullojnë sfidën e çerekfinales së Kupës së Maqedonisë.

Në ditët në vijim pritet vendim zyrtar nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, e cila përpos vendimit final se kush avancon në gjysmëfinale,  do të sjell dënim të ashpër për FC Shkupin për organizimin e dobët, incidentet në terren dhe fishekzjarrët e hedhura gjatë kësaj përballje që zgjati vetëm 10 minuta.  / alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button