Dhunë në Kuvendin e Kosovës, deputetët e PDK-së sulmojnë Kurtin
Dhunë në Kuvendin e Kosovës, deputetët e PDK-së sulmojnë Kurtin

Gazetar: Shkelzen Aqifi
Debati parlamentar u përshkallëzua në konfrontim fizik mes ministrave dhe deputetëve të pushtetit me ata të PDK-së në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Rrahja nisi gjatë kohës sa ishte duke folur kryeministri Albin Kurti, kur atij iu afrua për ta lagur me ujë deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se ajo çka ndodhi në Kuvend është e papranueshme dhe se organet e drejtësisë duhet të trajtojnë sipas legjislacionit këtë nëse ka pasur sulm fizik në Kuvend.
“Kjo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është vërtet e papranueshme. Përdorimi i dhunës në këtë mënyrë është i ndëshkueshëm dhe dënueshëm prej të gjithë neve. Prandaj konsideroj se për shkak kë kësaj rrëmuje që është krijuar qëllimshëm, përgjegjësia e organeve të rendit nëse ka pasur sulm fizik në Kuvendin e Kosovës ajo do të trajtohet prej ligjit”, deklaroi Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Në reagimin e parë të Vetëvendosjes thuhet se dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht.
“Ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zv.ministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë. Ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputeti i PDK-së Hisen Berisha tha se janë provokuar rëndë nga zv.kryeministri Besnik Bislimi. Ai tha se eskalimi i situatës në sallën plenare mes deputetëve dhe ministrave nuk i bën mirë Kuvendit.
“Ky eskalim nuk i bën mirë as Kuvendit, as demokracisë, as qytetarëve të Kosovës që presin diçka tjetër. Është dashur këta moralisht të dorëhiqen. Të paktën për çështje morale të dorëhiqen edhe t’i hapin rrugë një procesi zgjedhor qe do të sillte një qeveri gjithëpërfshirëse”, u shpreh Hisen Berisha, PDK.
Para se të sulmohej, Kurti në Kuvend foli për Radoiçiqin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa ditë para se të formohej Qeveria e tij.
“Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës. /Alsat.mk