Dick Marty: Serbët duan të më vrasin dhe të fajësojnë shqiptarët/ Kosova kërkon hetim

Autoritetet e Kosovës do të bashkëpunojnë me shtetin e Zvicrës për të kuptuar më shumë rreth pretendimeve të ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, se strukturat serbe të sigurisë kanë planifikuar vrasjen e tij.
“Shteti dhe populli i Kosovës e kanë ditur gjithmonë se kush është Serbia, por unë shpresoj që Kuinti (Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania) në Beograd, Bashkimi Europian në përgjithësi, ta ngrenë këtë çështje me presidentin atje dhe të gjitha organet shtetërore, sepse kjo është një akuzë e jashtëzakonshme, e cila i tejkalon përmasat individuale, e përfshin një shtet të tërë”, tha Kurti.
Ai shtoi se “mënyra se si ka operuar Shërbimi Sekret serb në Europën Perëndimore, edhe ndaj shqiptarëve, edhe ndaj kroatëve, është i njohur botërisht”. “Duket që atë mënyrë e paskan planifikuar edhe ndaj Dick Martyt që të na fajësojnë neve”, ishte komenti i tij. Agjencia serbe e Zbulimit – BIA i ka dërguar një letër Shërbimit Federal të Inteligjencës Zvicerane, ku mohon pretendimet për përfshirjen e shërbimeve serbe të sigurisë në “planifikimin e vrasjes së dikujt”.
Por në një intervistë të dhënë në 10 prill për medien zvicerane “RTS”, Marty pohoi se prej 16 muajsh është nën mbrojtje të lartë policore, për shkak të kërcënimeve me jetë, të cilat, siç ka thënë, i vijnë nga “qarqe të caktuara të shërbimeve sekrete serbe, të cilat, sipas tij, “u kanë kërkuar vrasësve të paguar nga nëntoka që ta likuidonin”, për të fajësuar më pas “shqiptarët nga Kosova”.