Digjen hapësirat e Inspektoratit të Mjedisit, flakët shkatërruan arkivin


Nuk ka të lënduar nga zjarri që kaploi zyrat e Inspektoratit të Mjedisit Jetësorë rreth orës 06 e 50 minuta të mëngjesit të sotëm. Megjithatë, dëmet materiale janë të mëdha, përfshirë këtu edhe arkivin e këtij Inspektorati. Drejtori i këtij Institucioni Fezulla Spahiu, thotë se i gjithë dokumentacioni nga inspektimet në terren është shkrumbuar. Ai tha se ka kërkuar nga Ministria e Ekologjisë që t’u sigurojë hapësira për punë.

Hapësirat tona janë të djegura. E gjithë arkiva e në zyrat e inspektorëve. Vetëm zyra ime është pak e tymosur”, tha Fejzulla Spahiu, drejtor i Inspektoratit për Mjedis Jetësorë.
– Po thoni që dokumentacioni që keni pasur në arkiva tashmë i gjithi është zhdukur? A ka mbetur ndonjë pjesë tjetër ku keni ruajtur këtë dokumentacion?
“Jo, në vende të tjera nuk kemi ruajtur dokumentacion, për shkak se nuk kemi hapësira. Dokumentacioni është djegur i gjithi, sepse inspektorët e mbajnë në zyrat ku punojnë.
Tani jemi duke biseduar me inspektorët. Të shohim se çfarë do të bëjmë, nëse kanë ndonjë kopje ndokund. Nuk e dimë nuk kemi ende informata të sakta se si është situate brenda – u shpreh Fejzulla Spahiu, drejtor i Inspektoratit për Mjedis Jetësorë.

Zjarri ka shkaktuar dëme vetëm në katin e parë dhe nuk ka mbërritur në hapësirat tjera të ndërtesës ku ndodhen, Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Agjencia Informative MIA.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Vladimir Simonovski, tha se gjithçka mund të ketë nisur nga instalimi elektrik.

Nga ajo që arritëm të shohim ne gjatë fikjes së zjarrit, bëhet fjalë për ndonjë material zyre dhe instalim elektrik. Shkaktarë në këtë periudhë nuk mund të jetë asnjë pajisje ngrohje gjithçka është tek instalimi elektrik. Deri tani mund të konstatohet se janë përfshirë 6 hapësira, mirëpo më vonë do të dihet edhe më saktësisht – u shpreh Vlladimir Simonovski, komandant i zjarrfikësve.

Simonovski tha se janë orientuar me vështirësi brenda ndërtesës, për shkak te korridoreve të shumta dhe ndarjeve me dyer qelqi dhe gips. Një problem shtesë, sipas tij, ishte se asnjë hidrant nuk funksiononte.

Dëshmitarja që kishte njoftuar zjarrfikësit, thotë se gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt.

Në ndërtesën përballë nesh vërejtëm tym, në një nga zyrat, morëm vesh se i përkisnin Ministrisë së Ekologjisë. Kolegia ime nxitoi tek ndërtesa që të informonte dikë se ka rënë zjarr. Unë menjëherë lajmërova zjarrfikësit, në 193. Ata erdhën menjëherë, megjithatë shikoni çfarë dëmi ndodhi, për një kohë kaq të shkurtër – tha Sonja Simovska, dëshmitare.

Për shuarjen e tij u angazhuan 9 automjete dhe 24 zjarrfikës, të cilët luftuan me flakët për rreth dy orë.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button