Dimarko: Golin ia dedikoj Arnautoviçit, i cili pësoi lëndim
“Është një fitore e rëndësishme, ne i dhamë një sinjal të shkëlqyer kampionatit. Nuk ishte një ndeshje e lehtë në fushën e Empolit, por jemi të lumtur që morëm tri pikët. Nëse dëshiron të luftosh për diçka, duhet të fitosh me skuadrat e vogla”.
Kështu ka thënë për “Dazn” anësori i Interit, Federiko Dimarko, shënuesi i golit vendimtar të kampionatit në ndeshjen e fundit kundër Empolit, të cilën zikaltrit e fituan 1-0.
“Golin ia dedikoj Arnautovicit, i cili pësoi lëndim, që sigurisht nuk do të jetë diçka e thjeshtë, – shtoi ai. – Topi më erdhi mirë, perfekt në të majtë, e godita dhe për fat të mirë hyri në rrjetë.
Mendoj se është një nga pikat më të larta të karrierës sime, mendoj vetëm të punoj dita-ditës, por e vetmja gjë që ka rëndësi është fitorja e skuadrës,” tha mes tjerash Dimarko.
Ndërkohë, mësohet se Interi e ka humbur Arnautoviçin, i cili doli nga fusha në fund të ndeshjes kundër Empolit për shkak të lëndimit.







