Dimitrov shkaktoi ‘tërmet’ të vërtetë politik në Qeveri – Këto janë reagimet

Dimitrov shkaktoi ‘tërmet’ të vërtetë politik në Qeveri – Këto janë reagimet

Gazetar: Lluka Andreev

“Po e ndez alarmin, ka arsye për vigjilencë”. Kështu e komentoi kontestin me Bullgarinë, zv/kryeministri Nikolla Dimitrov, në ditën e tij të fundit në këtë post qeveritar. Ai tha se nuk i beson ekipit që udhëheq negociatat me Sofjen, sepse siç thotë ai, preket identitetit, ndërsa diplomacia maqedonase është e gatshme të bëjë lëshime pa marrë asgjë në këmbim. Sipas Dimitrovit, deklarata dhe qëndrimi kornizë i Bullgarisë, të cilat u konfirmuan nga Këshilli i Presidentit Rumen Radev, janë dokumente poshtëruese.

“Ne mbrojmë diçka që është shumë e jona. Ne nuk kërkojmë diçka nga tjetri. Gjuha maqedonase është puna jonë intime dhe nuk është objekt i njohjes nga askush, përfshirë edhe Bullgarinë. Ne, ndër të tjera, jemi shtet i pavarur, nuk jemi provincë e asnjë shteti tjetër”, tha Nikolla Dimitrov – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Dimitrovi tha se ka qenë pengesë për një zgjidhje të keqe me Bullgarinë, ndaj nuk e donin as “në shtëpi” as në Sofje. Për menaxhimin e dobët të procesit, ai e drejtoi gishtin nga ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

“Nuk kam besim të plotë tek ministri i Jashtëm, deri pak kohë më parë, edhe dy-tri ditë, koleg, për këtë çështje. Kam ndjenjë se ka një “drajv” për sukses me çdo kusht, që mendoj se nuk është produktiv dhe i rrezikshëm”, u shpreh Dimitrov.

Mandatari për kryeministër Dimitar Kovaçevski, për të cilin Dimitrov tha se nuk e kupton politikën e jashtme, ia ka ofruar postin e ambasadorit në Uashington, por zëvendëskryeministri pretendon se kjo është një lëvizje për ta “lënë mënjanë”. Dimitrovi, ndryshe nga Osmani, insiston që zgjidhja e mundshme të gjendet para deputetëve.

Nga ana tjetër, qeveria dhe opozita u bashkuan në kritikat e tyre ndaj asaj që tha Dimitrovi. Osmani u përgjigj se qëndrimet e tij janë në përputhje me ato shtetërore, ndërsa kryeministri në dorëheqje Zoran Zaev dhe VMRO-DPMNE-ja pyetën pse Dimitrovi vendosi të flasë tani.

“U bëj thirrje publikisht të gjithë kolegëve, aktualë dhe të dikurshëm, që të tregojmë virtyt dhe qëndrim të drejtë ndaj njëri-tjetrit, ta ruajnë nivelin dhe besimin që kemi ndërtuar prej shumë vitesh dhe të sigurojmë të ardhmen evropiane të qytetarëve të cilën një kohë të gjatë vetëm e premtojmë”, theksoi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

“Nëse Dimitrovi është kundër ndonjë qëndrimi që kemi ndërtuar së bashku, është e drejtë që para popullit ta thotë atë dhe të shpjegojë pse, sepse në të kundërtën mbetet përshtypja se mospjesëmarrja e tij në qeverinë e ardhshme është arsyeja për këto të pavërteta dhe manifestime publike spekulative”, thonë nga kabineti i kryeministrit Zoran Zaev.

“Të mos luajë karrieristi Dimitrov gjeneral pas luftës dhe se gjoja ka qenë viktimë e Bullgarisë së ‘keqe’, por është viktimë e paaftësisë së tij dhe të shitjes dhe lojës me interesat shtetërore”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Dimitrov thotë se deri më tani nuk ka folur hapur, por se betejën e ka udhëhequr “nga brenda”, ku zënkat janë përshkallëzuar në dy raste, në Bruksel dhe në Shkup./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button