Kompanisë “Besa Trans”, i merret licenca turistike

Gazetar: Igor Stefanovski

Ministria e Ekonomisë ia mori licencën turistike kompanisë “Besa Trans”, autobusi i së cilës u dogj në Bullgari, ku jetën humbën 45 persona, shkruan Alsat.

Vendimi i firmosur nga ministri Kreshnik Bekteshi vjen pas tre përpjekjeve për inspektimin e kompanisë nga Inspektorati shtetëror i tregut. Inspektorët kanë hasur në dyer të mbyllura në selinë kryesore të “Besa Trans BTB” SHPKNJP- Shkup në Rashçe si dhe në zyrat e kompanisë në Shkup. Pas heqjes së licencës ministri Bekteshi u shpreh:

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që udhëtojnë, të kontrollojnë se me cilat agjenci turistike udhëtojnë, respektivisht nëse kanë leje pune të vlefshme të lëshuara nga Ministria e Ekonomisë”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë.

Më herët, Ministria e Transportit ia mori licencën kompanisë për transportin e udhëtarëve. Por, përkundër kësaj, këto ditë në media qarkullojnë lajme se ish-furgonët e “Besa Trans-it” apo personat e punësuar në të, transportojnë ilegalisht udhëtarë nëpër Shkup dhe në mbarë vendin.

Ndërkohë, Prokuroria është ende duke kryer hetimet për kompaninë, por prokuroria përveç mbledhjes së dokumenteve, nuk ka zbuluar asgjë deri më tani. Drejtoria doganore do të dërgojë raport në Prokurori nëse dhe sa autobusë të “Besa Trans” kanë kaluar kufirin pa ose me dokumente të mundshme false, siç është certifikata për transport të udhëtarëve. Vetëm në vitin 2020 dhe 2021, autobusi i djegur ka kaluar kufirin më shumë se 100 herë. Hetuesit bullgarë ende nuk kanë saktësuar se si ka ndodhur tragjedia në autostradën “Struma”./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button