Diplomatët evropian i bëjnë thirrje Bullgarisë të heqë dorë nga bllokada e zgjerimit të BE-së

Kryediplomati i Çekisë, Petriçek alarmon se takimi i nesërm i ambasadorëve evropian për konkluzionet e zgjerimit është shansi i fundit për zhbllokimin e procesit euro-integrues të vendit. Ndërsa Ministri i Jashtëm, Osmani i cili deri tani ka qenë decid se marrëveshjet dypalëshe me Bullgarinë e Greqinë do të zbatohen, pavarësisht fillimit ose jo të negociatave me BE-në sot tha të kundërtën.
“Republika Çeke i mbështet përpjekjet e presidencës gjermane për arritjen e marrëveshjes, Bullgaria të tërhiqet në një farë mënyre nga kërkesat e saja dhe të arrihet kompromis. Shpresoj qe konferenca e parë ndërqeveritare të mund të fillojë, por kjo vërtetë varet nga takimi i nesërm në Bruksel.”-tha Tomas Petriçek, Ministër i Jashtëm i Çekisë.
“Dinamika e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes me Bullgarinë është në korrelacion dhe varet nga dinamika e procesit negociues. Nuk ka mënyrë më të mirë për ta shpejtuar dinamikën e zbatimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë sesa me vetë përshpejtimin e perspektivës evropiane.”-pohoi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Për kreun e Kumanovës, Dimitrievski është e pakuptimtë, fyerje dhe e papranueshme heqja e tabelave nga përmendoret me mbishkrimin “okupatori fashist bullgar” dhe shlyerja e këtij fakti historik nga librat. Sipas Dimitrievskit, Bullgaria duhet të kërkojë falje e pastaj dy vendet t’i gjejnë momentet e përbashkëta historike.
“Do të ishte gabim historik për shtetin tonë, jo vetëm tabelat ku shkruan okupatori fashist bullgar, fakt dhe realitet, por në Kumanovë mbi 1000 njerëz humbën jetën, pjesa më e madhe e të cilëve pikërisht nga ai okupator fashist. Shteti bullgar duhet të jetë e vetëdijshëm për këtë, një herë e përgjithmonë ta kuptojë, publikisht t’iu kërkojë falje qytetarëve dhe të vazhdojmë më tutje.”-tha Maksim Dimitrievski, Krytar i Komunës së Kumanovës.
Nga ana tjetër, kryediplomatja bullgare, Zaharieva porositi kolegët e Shkupit që në vend se në intervista, të fokusohen në kornizën negociuese dhe në një protokoll që do i shtohet Marrëveshjes së 2017-tës. Përmes të përditshmes gjermane, Welt, Zaharieva tha se shënimi i figurës së Titos në Shkup është njësoj si shënimi i figurës së Hitlerit në Berlin. Ndërsa theksoi prerë se Shkupi, jo Sofja është ajo që mohon të drejtën e vetë-përcaktimit.
“Kuptohet se tingëllon katastrofale nese një shtet ia mohon të drejtën e vetë-përcaktimit një shteti tjetër. Por, e kundërta është e vërtetë. Në 10 vitet e fundit 88 450 maqedono-verior morën shtetësi bullgare, mbi bazë të prejardhjes. Ata janë qytetarë bullgarë dhe evropian. Ata kanë të drejtë vetë-përcaktimi. Por gjithsecili që sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut definohet si qytetar me rrënjë bullgare, edhe më tej diskriminohet.”-deklaroi Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.
Anesa Salihu