Dita Botërore e Lirisë së Medias: Autoritetet të krijojnë kushte të përshtatshme për veprimin e mediave

Pushteti dhe institucionet duhet të dëshmojnë përgjegjësi serioze dhe përkushtim në mbështetjen e të drejtave dhe lirisë së medias. Ky është qëndrimi i Këshillit të Etikës në Media, i cili me rastin e 3 majit, ditës ndërkombëtare të Lirisë së Medias rikujtuan autoritetet që të krijojnë ambient të përshtatshëm në të cilin mediat do të veprojnë pa asnjë lloj kufizimi dhe pengese.

Çdo përpjekje që të ndërhyhet në mënyrë të izoluar në politikat dhe reformat e mediave, në kundërshtim me përpjekjet profesionale të mediave, do ta kuptojmë si përpjekje për kontroll dhe ndikim por edhe imponim të kushteve restriktive në punën e mediave. Me rëndësi të posaçme në këtë proces është që të ndryshohet diskursi dhe qëndrimi te politikanë, krijuesit e opinionit publik dhe qendrave të fuqishme të cilat jo rrallë herë i prezantojnë ose i trajtojnë mediat si palë jomiqësore – thuhet në njoftimin e Këshillit të Etikës në Media.

Nga Shoqata e Gazetarëve, thonë se kriza me pandeminë nxori në pah dobësitë në gazetari.

Bllokim i reformave në media, mos arritje e drejtësisë për gazetarët, vetëm një rast i zgjidhur nga 16 sulmet e gazetarëve vitin e kaluar, disa vendime skandaloze të gjykatës lidhur me 27 prillin dhe paditë e refuzuara të gazetarëve – njoftojnë nga SHGM.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Klemens Koja theksoi se gazetaria profesionale është kyçe për luftën kundër lajmeve të rreme.

Edhe para pandemisë siguria e gazetarëve ka qenë çështje kritike, por që kur shpërtheu COVID 19, gazetarët janë përballur edhe me më shumë rreziqe. Tani më shumë se kurrë, e shohim sigurinë tonë private të lidhur me gazetarët, puna e të cilëve gjatë raportimit të lajmeve ka ndikuar në formimin e vendimeve tona – deklaroi Klemens Koja, Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.

Sipas raportit të fundit të “Reporterë pa Kufi”, në vitin 2020 Maqedonia e Veriut ka përparuar për dy vende në Listën botërore të lirisë së mediave dhe ndodhet në pozitën e 90. Megjithatë në këtë raport theksohet se “përfaqësues të lartë të pushtetit vazhdojnë tu kërcënohen dhe t’i ofendojnë mediat. Kërcënime për sulm ndaj gazetarëve në vend janë konstatuar edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit ku shkruan se “kultura e mosndëshkimit është rrënjosur mirë dhe është pengesë për sigurinë e gazetarëve”.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button