Dita e 38-të e protestës para Kryeministrisë, organizatorët: Nuk ndalemi deri në largimin e Ramës
Sot shënohet dita e 38-të e protestës qytetare para godinës së Kryeministrisë, një lëvizje që prej më shumë se një muaji ka mbajtur të mobilizuar qytetarë nga Tirana, rrethet dhe diaspora. Edhe këtë pasdite, protestuesit pritet të mblidhen sërish në bulevard për të vijuar atë që tashmë është kthyer në protestën më të gjatë dhe më të qëndrueshme të viteve të fundit.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër kastës politike, me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të sistemit politik. Gjatë protestës së djeshme, qytetarët përsëritën thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, “Rama ik”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi”, “Revolucion”, “Shqipëri e re” dhe “Atdheu është i yni”, ndërsa organizatorët deklaruan se protesta do të vijojë çdo ditë deri në largimin e kryeministrit.








