Dita e Flamurit këtë vit u shënua ndryshe për shkak të masave antiCOVID

Në një shtyllë 28 metra të lartë, ashtu sikurse në Vlorë përpara 108 vitesh, në orën 14:00, në fshatin Kamjan të Bogovinës, është ngritur sot flamuri shqiptar, për të shënuar përvjetorin e ditës së pavarësisë së Shqipërisë. Manifestimi u organizua nga vetë banorët e këtij fshati.
“Kamjanasit me organizm të bashkësisë vendore, shoqatën “Për Kamjanin”, mërgimtarët dhe bashkëvendasit tanë, sot ngremë flamurin me moton “Flamuri kthehet në folenë e vete”, sepse ishte çerdhe e mohuar dikur. Njëherit me këtë, përcjellim në vend amanetin e të rënëve për liri ndër shekuj- deklaroi Ismet Krosi, këshilli organizativ
Organizim festiv masiv siç ka ndodhur gjatë viteve të tjera në Tetovë dhe në Shkup nuk pati, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.
Në Sheshin Skenderbeu në kryeqytet me organizim të Ansamblit të këngëve dhe valleve u transmetua program festiv në ekran të madh por numri i qytetarëve që e ndoqën ishte simbolik.
Edhe në Shqipëri shënimi i festës së Flamurit u shënua nën masa të veçanta anti-kovid. Kryeministri i vendit Edi Rama, por edhe presidenti Meta, u bënë bashkë për të shënuar këtë ditë madhështore në Vlorë. Uruan edhe Kosovën dhe zotin Hashim Thaçi.
“Dëshiroj t’u uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë, këtë ditë të bekuar të flamurit tonë kombëtar, të Pavarësisë së Shqipërisë dhe njëkohësisht në këtë ditë që është edhe dita e lindjes së komandantit legjendar të Luftës Çlirimtare të Kosovës , dëshiroj t’i uroj festën e Pavarësisë dhe Ditën e Flamurit, Presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij që sot nuk gjenden në shtëpi’ tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Pas mbajtjes në Vlorë të ceremonisë së ngritjes së flamurit, presidenti i Republikës, kryeministri dhe kreu i Kuvendit vendosën kurora me lule në monumentin e pavarësisë.
Bashkim Sulejmani