Djali i ish-diktatorit Gadafi shpall kandidaturën për president të Libisë

Djali i ish-diktatorit të Libisë Moammar Gadafi shpalli të dielën kandidaturën për president në zgjedhjet që do të mbahen muajin e ardhshëm, konfirmoi agjencia elektorale e vendit.

Seif al-Islam, në kërkim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime kundër njerëzimit pas kryengritjes së vitit 2011, dorëzoi dokumentet për të shpallur kandidaturën nga qyteti Sabha, rreth 650 kilometra larg kryeqytetit Tripoli, shkruan më tej Komisioni i Lartë Elektoral.

Djali i Gadafit u kap nga luftëtarët në fund të 2011, vit i cili rrëzoi regjimin e babait të tij pas më shumë se 40 viteve në pushtet. Moammar Gadafi u vra duke i hapur rrugën një lufte të përgjakshme civile.

Në një video të shpërndarë nga një prej zyrtarëve të zgjedhjeve, al-Islam i drejtohet qytetarëve duke thënë se “Zoti do të vendosë rrugën e duhur për të ardhmen e vendit”. Kjo është hera e parë që ai shfaqet në publik pas shumë vitesh.

Seif al-Islam u la i lirë në korrik të 2017 pasi qëndroi pesë vite në burg. Asokohe, në një intervistë për New York Times, ai u shpreh se kishte menduar të garonte për postin e presidentit. Kandidatura e tij pritet të ngjallë debate të shumta në vend.

Libia pritet të shkojë në zgjedhje më 24 dhjetor, pas përpjekjeve të shumta nga Kombet e Bashkuara për të sjellë demokracinë në vend e për t’i dhënë fund luftës. Pas rrëzimit dhe vrasjes së Gadafit, vendi i pasur me rezerva nafte ka mbetur i përçarë midis qeverive rivale, njëra që qeveris nga kryeqyteti dhe tjetra në pjesën lindore të vendit.

Deklarata e al-Islamit vjen vetëm dy ditë pas konferencës ndërkombëtare në Paris ku liderët shprehën mbështetjen për të mbajtur “zgjedhje parlamentare dhe presidenciale të lira, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse”.

Megjithatë, gara pritet të ketë mjaft sfida, përfshi këtu çështje ende të pazgjidhura mbi legjislacionin e zgjedhjeve dhe konflikteve të herë pas hershme midis grupeve të ndryshme të armatosura, por edhe ndasia e thellë që mbetet midis zonave në lindje dhe perëndim të vendit.

Gadafi kishte tetë fëmijë, shumica e të cilëve kishin role të rëndësishme gjatë periudhës që ai sundonte vendin. Djali i tij Mutasim u vra në të njëjtën kohë kur u kap Gadafi. Dy djemtë e tjerë, Seif al-Arab dhe Khamis u vranë pak kohë para se të ndodhte kryengritja, ndërsa një prej djemve të tjerë u lirua në shtator pasi qëndroi i burgosur në Tripoli për 7 vite, pas ekstradimit nga Nigeri.

LEXO EDHE:

Back to top button