Dolly Parton flet pas vdekjes së bashkëshortit: “Do të të dua gjithmonë”

Dolly Parton flet pas vdekjes së bashkëshortit: “Do të të dua gjithmonë”

Këngëtarja Dolly Parton ka folur pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Carl Dean, duke publikuar një “letër dashurie” për familjen, miqtë dhe adhuruesit e saj.

79-vjeçarja, ishte e martuar me Dean që nga viti 1966. Ai vdiq më 3 mars në moshën 82-vjeçare. Në një mesazh emocional, ajo ka falënderuar të gjithë për mbështetjen e tyre. Letra e saj përfundon me një referencë prekëse të këngës së saj ikonike “I Will Always Love You”.

“Kjo është një letër dashurie për familjen, miqtë dhe adhuruesit. Ju falënderoj të gjithëve për mesazhet, kartolinat dhe lulet që keni dërguar për të nderuar kujtimin e bashkëshortit tim të dashur, Carl. Nuk mund t’ju përgjigjem të gjithëve personalisht, por ta dini se kjo ka qenë shumë domethënëse për mua. Ai tani është në krahët e Zotit dhe unë jam në paqe me këtë. Do të të dua gjithmonë”, ka shkruar Parton, ka raportuar Female First.

Carl Dean ka qenë një figurë enigmatike për publikun, duke zgjedhur të jetonte larg vëmendjes së medias, pavarësisht famës së gruas së tij. Ai zotëronte një kompani ndërtimi në Nashville dhe rrallëherë shoqëronte Partonin në ngjarje publike.

Në një intervistë për revistën HELLO!, vetëm disa muaj para vdekjes së Dean, Parton ka shpjeguar se privatësia ishte një zgjedhje natyrale për marrëdhënien e tyre.

“Burri im dhe unë gjithmonë kemi shijuar shoqërinë e njëri-tjetrit. Më pëlqen të bëj gjëra me të, udhëtojmë shpesh, veçanërisht në Tennessee. Ai kurrë nuk e ka pëlqyer daljen në darka dhe ngjarje publike. Dhe ndonëse unë e dua shoqërinë dhe argëtimin, gjithçka erdhi natyrshëm që ta mbaja martesën tonë private”, ka thënë Parton.

Lajmi për vdekjen e Carl Dean u bë publik përmes një njoftimi në rrjetet sociale të Parton. Në deklaratë u konfirmua se ai do të varrosej në një ceremoni private me pjesëmarrjen e familjes së ngushtë.

“Carl dhe unë kaluam shumë vite të mrekullueshme së bashku. Fjalët nuk mund ta përshkruajnë dashurinë që kemi ndarë për më shumë se 60 vjet. Faleminderit për lutjet dhe ngushëllimet tuaja. Familja kërkon privatësi në këtë kohë të vështirë”, ka thënë Parton.

LEXO EDHE:

Back to top button