Prishtina 2030 hyn në fazën operative – Mbahet takimi i parë i Komitetit Organizativ

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” kanë hyrë zyrtarisht në fazën e planifikimit operativ.

Sot në Qeverinë e Republikës së Kosovës është mbajtur takimi i parë i Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare (KOLM) Prishtina 2030.

Takimi shënon startin e punës institucionale për ngjarjen më të madhe sportive që ka organizuar ndonjëherë Kosova.

“Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ janë projekti më i madh ndërkombëtar që i është besuar ndonjëherë Kosovës dhe një mundësi historike për ta prezantuar vendin tonë para botës. Kemi përgjegjësi të madhe, por edhe një mundësi të jashtëzakonshme. Koha nuk pret. Çdo ditë duhet të shfrytëzohet për planifikim, koordinim dhe vendimmarrje. Prishtina do të vazhdojë të përmbushë çdo obligim të saj me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim.”
Kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë shtetërore të projektit:

“Sot në Qeverinë e Republikës së Kosovës mbajtëm takimin e parë me Komitetin Organizativ për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, një prej projekteve më të rëndësishme që vendi ynë do të realizojë në vitet e ardhshme. Për herë të parë, Republika jonë do të mirëpresë një ngjarje sportive të kësaj përmase, duke sjellë së bashku sportistë, delegacione dhe partnerë nga vende të ndryshme të Mesdheut.”

Informacione kyçe të “Prishtina 2030

  • Datat: Lojërat pritet të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030
  • Edicioni: Prishtina do të jetë nikoqire e edicionit të XXI-të
  • Përmasat: Mbi 3.500 sportistë pritet të zbarkojnë në Kosovë për Lojërat Mesdhetare
  • Rëndësia: Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje sportive shumëdisiplinore ndërkombëtare që organizohet çdo katër vjet nën ombrellën e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe edicioni i vitit 2030 do të mbahet në Prishtinë, duke shënuar herën e parë që Kosova organizon një ngjarje të tillë

Një detaj historik: “Për herë të parë një qytet jo bregdetar, Prishtina jonë bëhet mikpritëse. Do të jetë kjo hera e parë në histori të Lojërave Mesdhetare ku do t’i bashkojnë forcat dy shtete, disiplina e lundrimit thelbësore në lojërat mesdhetare do të luhet në brigjet e Durrësit”.

Puna tani vazhdon me planifikimin e infrastrukturës, menaxhimin administrativ dhe koordinimin me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë./KosovaPress.

LEXO EDHE:

Back to top button