Trump nënshkruan projektligjin e sanksioneve kundër Rusisë — tarifa deri në 100% për blerësit më të mëdhenj të naftës së saj

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një projektligj gjithëpërfshirës për sanksione që synojnë ekonominë ruse duke ndëshkuar blerësit më të mëdhenj të naftës dhe gazit të saj, raporton BBC .

Ligji, të cilin Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së e miratoi më herët këtë javë, i jep Trump autoritet të gjerë për të vendosur tarifa deri në 100 për qind ndaj pesë blerësve më të mëdhenj të naftës dhe gazit rus – kryesisht Kinës dhe Indisë.

Me kërkesë të Trump, ligji zbatohet si për sektorin e energjisë ashtu edhe për atë ushtarak të Iranit.

Ligji mban emrin e senatorit të ndjerë Lindsey Graham, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës në Uashington para vdekjes së tij më 11 korrik.

Ligji prej 48 faqesh, i titulluar zyrtarisht “Akti i Sanksioneve Lindsey O. Graham ndaj Rusisë dhe Iranit i vitit 2026”, parashikon përjashtime për vendet që importojnë më pak se 15 përqind të gazit të tyre natyror nga Rusia dhe po punojnë për të zvogëluar varësinë e tyre prej saj.

Përveç kësaj, ligji parashikon sanksione kundër Presidentit rus Vladimir Putin, zyrtarëve të lartë të qeverisë ruse, si dhe bankave dhe institucioneve të tjera financiare dhe “flotës në hije” të anijeve cisternë të Rusisë, të përdorura për të anashkaluar sanksionet ekzistuese.

Senatori Richard Blumenthal, një demokrat nga Nju Jorku, e përshkroi më parë projektligjin si “sanksione të ashpra” që do ta “mbytnin makinën e luftës së Putinit”.

Të dhënat nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA) tregojnë se Kina përbënte 50 përqind të eksporteve të naftës bruto të Rusisë midis dhjetorit 2022 dhe gushtit 2026, e ndjekur nga India me 37 përqind.

Turqia dhe Bashkimi Evropian kontribuan secila me 5 përqind në të njëjtën periudhë, megjithëse eksportet ruse të energjisë në BE janë në rënie.

Senatori Graham i ka kërkuar prej kohësh administratës Trump të marrë masa shtesë për të ndëshkuar Rusinë për luftën që pasoi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ligji mori mbështetje edhe nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili falënderoi Trumpin për nënshkrimin e “ligjit me rëndësi kritike”.

“Mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e Lindsey-t do të jetë zbatimi i plotë dhe i shpejtë i dispozitave të këtij ligji. Senatori Graham nuk dyshoi kurrë për asnjë moment se Amerika kishte forcën për t’u përballur me diktatorët dhe për të arritur rezultate nëse bënte gjënë e duhur”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha ditën tjetër se këto sanksione të SHBA-së kundër Rusisë do t’i vështirësojnë përpjekjet për të arritur një zgjidhje paqësore në Ukrainë.

Peskov e quajti miratimin e ligjit një “veprim armiqësor” dhe tha se Kremlini po monitoronte shqyrtimin e mëtejshëm të tij.

“Sigurisht, vendosja e çdo sanksioni shtesë nga Shtetet e Bashkuara do të ndërlikonte padyshim përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore në Ukrainë”, tha ai.

LEXO EDHE:

Back to top button