Donfrid: E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian

Donfrid: E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian

Gazetar: Lluka Andreev

“E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian”, – kështu nga Shkupi është shprehur ndihmës sekretarja amerikane për çështje evropiane Karen Donfrid. Zyrtarja amerikane tha se anëtarësimi në BE do të kontribuojë për stabilitet më të madh në rajon.

“Ne duam që Bashkimi Evropian t’i mbajë konferencat ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur pasi u vonuan shumë. Ju keni punuar shumë dhe keni ndërmarrë reformat e nevojshme, andaj meritoni të bëni përparim të shpejtë”, deklaroi Karen Donfrid- ndihmës sekretare shtetërore për çështje evropiane e SHBA-së.

Si konfirmim i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, në Uashington, më 2 qershor të këtij viti, përfaqësuesit e dy vendeve do të nisin dialog strategjik.

“Si SHBA presim vazhdimin e punës së mirë të përbashkët me Maqedoninë e Veriut, por edhe me komunitetin ndërkombëtar. Pres bisedime më të thella me ju, ndërmjet qeverive tona, për mbrojtjen dhe sigurinë, energjinë dhe shkëmbimin e informacioneve”, u shpreh Karen Donfrid- ndihmës sekretare shtetërore për çështje evropiane e SHBA-së.

Donfrid i vlerësoi si produktive bisedimet me zyrtarët shtetërorë. Sipas Qeverisë, është biseduar edhe për situatën në Ukrainë si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal nga nisma “Ballkani i Hapur”. Megjithatë, më shumë detaje nga takimet me dyer të mbyllura nuk u ndanë. Për shkak të agjendës së ngjeshur, përfaqësuesja e lartë nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button