“Dorëheqjet”, thellohet përçarja mes VMRO-DPMNE-së dhe Arsovskës

“Dorëheqjet”, thellohet përçarja mes VMRO-DPMNE-së dhe Arsovskës

Gazetare: Ajnur Bafqari

Përplasjet mes VMRO-DPMNE-së me kryetaren e Qytetit të Shkupit, çon në dorëheqjen edhe të dy drejtorëve, kuadro të VMRO-DPMNE-së. Drejtori i deponisë “Drislla” Jane Micevski dhe ai i Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit” Shkup, Bojan Hristovski, gjatë ditës së sotme njoftuan për dorëheqjet e tyre me arsyetimin se gjatë kryerjes së detyrës së tyre ka munguar koordinimi me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe ajo nuk ka qenë e interesuar për punë dhe nuk ka komunikuar me ta. Por Arsovska përmes një postimi në facebook theksoi se drejtorët drejtorë kanë pranuar oferta për dorëheqje ose shkarkim, për shkak të punës joadekuate.

“Për shkak të punës joadekuate, mosdhënies së rezultateve dhe mosrespektimit të udhëzimeve të Qytetit të Shkupit, drejtorët kanë pranuar ofertë për dorëheqje ose shkarkim”, tha Danella Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit.

Ndërkohë këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit thonë se jo më larg se një ditë mare Arsovska lavdëroi drejtorët e ndërmarrjeve publike se janë krye të detyrës, që sot të dalë me reagim se ata nuk kanë dhënë rezultate në punën e tyre. Këshilltarët e opozitës përgënjeshtrojnë Arsovskën se ka pasur oferta për dorëheqje e shkarkime. Ata porosisin Arsovskën se ndryshimi i numrave arkivorë përbën vepër penale. Partia e Mickoskit ndërkohë thekson se nuk është aspak e kënaqur me punën e deritanishme të Arsovskës.

“Mund të them se nuk jemi të kënaqur nga ajo që është punuar deri më tani nga ana e kryetares dhe vlerësojmë se është realizuar pak dhe mundet e duhet të arrihen më shumë rezultate që i meritojnë shkupjanët. Mbështetjen që e dhamë në fillim ndaj Arsovskës bazohet mbi parime dhe gjithsesi atë do ta tërheqim atëherë kur e shohim se ato parime nuk respektohen. Kjo domethënë se në të ardhmen vetëm ato projekte dhe ajo politikë që është në funksion të ‘Shkupit modern’ do të mbështetet dhe votohet nga VMRO-DPMNE në Këshill”, u shpreh Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

Dorëheqjet e sotme të dy drejtorëve erdhën një ditë pasi Arsovska, në një ditë shkarkoi drejtorin e “Ujësjellësit dhe Kanalizimit” dhe Sekretarin e përgjithshëm të Qytetit të Shkupit, edhe pse ky i fundit tha se ka dhënë dorëheqje. Shkarkimin e kuadrove të VMRO-së, Arsovska e arsyeton me procesin sipas saj të dyshimtë të tenderit për stacionin e pastrimit të lumit Vardar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button