Doug Emhoff hyn në histori si i pari “Zotëria i Dytë“

Nënpresidentja Kamla Harris është gruaja e parë në Shtetet e Bashkuara që merr këtë pozitë. Kjo e bën burrin e saj, Doug Emhoff, “zotëria i dytë“, i pari burrë që merr këtë epitet në Shtëpinë e Bardhë. Bashkëshorti i nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris do të hyjë në histori, duke u bërë i pari bashkëshort, që do të njihet si “zotëria i dytë” në Shtëpinë e Bardhë.

Ky është hap i madh drejt arritjes së barazisë gjinore, thotë Sarah Rowley nga Universiteti DePaw, ndërsa tregon se mbetet ende shumë për t’u bërë.

“Kjo pasqyron arritjet pas sfidash prej disa dekadash në rolet gjinore. Por gjithashtu tregon se sa më larg duhet të shkojmë për të arritur barazi gjinore duke pasur parasysh faktin se kjo është hera e parë që kemi këtë situatë – 232 vite pas zgjedhjeve të para presidenciale, 100 vjet pas amendamentit të 19-të dhe 36 vjet pas hyrjes së një gruaje në një parti të madhe dhe në dyshen për president dhe nënpresident”, tha zonja Rowley.Emhoff është burri i katërt që është bashkëshorti i një gruaje që është pjesë e dyshes presidenciale ose nënpresidenciale. Ishte dyshja Walter Mondale dhe Geraldine Ferraro më 1984, pasuar nga John McCain dhe Sarah Palin më 2008 dhe Hillary Clinton me Tim Kaine në 2016.

Emhoff vjen me shumë risi thotë Matthew Schmidt nga Universiteti New Haven.

“Emhoff po e lë punën, gjë që e kanë bërë të gjitha zonjat e para dhe të dyta. Mendoj se është me rëndësi që Jill Biden nuk po e lë punën. Emhoff nuk është i krishter. Ai është një hebre dhe kjo është diçka e re. Sigurisht kemi një martesë të vonë që vjen pas divorcit, me një familje të përzier si nga raca edhe feja. Kjo i jep zonjës Harris epitetin ‘momala’”, thotë Matthew Schmidt, Profesor i Shkencave Politike dhe Sigurisë Kombëtare në Universitetin New Haven.

“Momala,” thotë zonja Harris është emri me të cilin e thërrasin nipërit e saj, përzierje e fjalëve “nënë“ dhe “Kamala”.
Javën që shkoi ajo postoi në Twitter një foto me bashkëshortin duke buzqeshur natën që Joe Biden u parashikua si fitues i zgjedhjeve. “Njihuni me dashurinë e jetës sime”, u tha ajo 11.5 milionë ndjekësve të saj.

“Ai është treguar një bashkëshort i përgjegjshëm familjar. Prania e tij në publik gjatë fushatës tregoi dashurinë që ka për Kamala Harris, duke treguar se ai mund të përqëndrohet në dashurinë e tyre por edhe rolin e tij si burrë dhe baba”, thotë Sarah Rowley nga Universiteti DePauw.

Zonja Harris dhe Emhoff janë takuar më 2013 dhe u martuan pas një viti. Kjo është martesa e parë e zonjës Harris dhe e dyta për Emhoff. Fëmijët e tij janë në o.shën 20 vjeçare. Deri tani, 56 vjeçari ka folur pak për çështjet që ai do të ndjek si zotëria i dytë.

“Supozimi im bazohet në qëndrimin e tij gjatë fushatës. Ai ishte mjaft i qetë dhe mund ta shoh duke qëndruar në qetësi edhe në Shtëpinë e Bardhë“, thotë Matthew Schmidt, nga Universiteti New Haven.

Ndërsa shumë e shohin zonjën Harris si grua model, e njëjta gjë mund të shihet edhe tek Emhoff i cili vuri karrierën e gruas së tij para të vetes./VOA

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button