Dy Koretë rivendosin linjat e komunikimit

Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut kanë rivendosur linjat e tyre të drejtpërdrejta të komunikimit, konfirmoi një zëdhënëse e Ministrisë së Unifikimit në Seul.

Në një deklaratë të lëshuar nga agjencia shtetërore e Koresë së Veriut KCNA, masa u përshkrua si “pjesë e përpjekjes për të përmbushur pritjet dhe dëshirën e të gjithë kombit që dëshiron që marrëdhëniet Veri-Jug të rivendosen sa më shpejt të jetë e mundur dhe për paqe të qëndrueshme në gadishullin korean”.

”Rilidhja e linjave të komunikimit mund të hapë rrugën për të rikthyer marrëdhëniet midis dy Koreve në rrugën e duhur”, deklaroi Ministria e Unifikimit.

Linjat e telefonit dhe fakset janë thelbësore për komunikimin midis dy vendeve, të cilat teknikisht nuk i kanë ndërprerë armiqësitë që nga Lufta e Koresë dhe ku vendet  nuk kanë ambasada në kryeqytetet e tyre respektive, Phenian dhe Seul.

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut rihapën kanalet e komunikimit midis qeverive dhe ushtrisë në fund të korrikut, pasi ato u ndërprenë në mënyrë të njëanshme nga Koreja e Veriut vitin e kaluar.

Por, vetëm pas dy javësh, Koreja e Veriut ndërpreu lidhjen përsëri për të protestuar ndaj manovrave të përbashkëta ushtarake vjetore të Koresë së Jugut dhe SHBA.

LEXO EDHE:

Back to top button