Edhe një pije e vetme alkoolike në ditë mund të rrisë presionin e gjakut
Edhe një pije e vetme alkoolike në ditë mund të rrisë presionin e gjakut
Edhe një gotë e vetme pije alkoolike në ditë mund të rrisë presionin sistolik të gjakut si tek burrat ashtu dhe te gratë pa hipertension ekzistues. Në këtë përfundim ka arritur një studim i ri, sipas të cilit ndikimi negativ i alkoolit në presionin sistolik të gjakut vazhdon të rritet me kalimin e viteve.
“Ne nuk gjetëm efekte më pak të dëmshme tek ata që pinin një nivel të ulët alkooli në krahasim me ata që pinë alkool në sasi më të mëdha,” tha autori i studimit Dr. Marco Vinceti, një profesor i epidemiologjisë dhe shëndetit publik në Universitetin e Modenës dhe Reggio Emilia në një deklaratë.
Sasitë e vogla të alkoolit rrisin gjithashtu edhe presionin e ulët të gjakut, ose diastolik, por vetëm te meshkujt, sipas studimit, i cili u botua të hënën në revistën Hypertension.
“Të dy leximet sistolike dhe diastolike kontribuojnë në rrezikun kardiovaskular, por nga të dyja presioni i gjakut sistolik është padyshim faktori më i rëndësishëm i rrezikut tek të rriturit,” tha bashkëautori i studimit Dr. Paul Whelton.
Presioni i gjakut dhe shëndeti kardiovaskular
Leximi sistolik, i cili përfaqëson forcën e gjakut kundër mureve të arterieve kur zemra tkurret, është një faktor kryesor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare për njerëzit mbi 50 vjeç, sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës. Leximi i ulët diastolik mat presionin në arterie ndërsa muskuli i zemrës pushon midis rrahjeve.
Një lexim normal sistolik është zakonisht 120 mm Hg ose më poshtë, por tenton të rritet pasi enët e gjakut dobësohen dhe ngushtohen me kalimin e moshës. Një lexim normal diastolik është nën 80 mm Hg, por fillon të bjerë me kalimin e moshës, pasi arteriet humbasin elasticitetin e tyre dhe ngurtësohen, duke çuar ndonjëherë në një rritje të pulsit.








