Edhe pas më shumë se tre muajsh, Gjykata e Apelit në Manastir nuk ka marrë vendim për ankesat e Prokurorisë së Strugës kundër Merkos
Edhe pas më shumë se tre muajsh, Gjykata e Apelit në Manastir nuk ka marrë vendim për ankesat e Prokurorisë së Strugës kundër Merkos
Gazetar: Miki Trajkovski
Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj, Gjykata e Apelit në Manastir ende nuk ka marr vendim për ankesat e Prokurorisë së Strugës, lidhur me rastet ku i akuzuar ishte ish-kryetari i komunës, Ramiz Merko. Prokurorët e Strugës për të gjitha rastet kërkuan dënim efektiv me burg. Deri kur dosjet për Merkon do të mbeten nëpër sirtarët e Gjykatës së Apelit, përgjigje nuk ka.
“Lëndët janë pranuar në gusht dhe tetor të vitit 2025 dhe ende nuk janë zgjidhur”, thonë nga Gjykata e Apelit, Manastir.
Për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në pesë shkolla, Merko kaloi vetëm me gjobë prej 12.500 euro dhe dënim me kusht. Ai i shpëtoi burgut edhe për blerjen e veturës luksoze Audi A6 me vlerë 67.000 euro, të cilën kryetari i ri i komunës, Mendi Qyra, ka paralajmëruar se do ta shesë.
“Lëndët janë në Gjykatën e Apelit- Manastir dhe ende pritet vendimi mbi ankesat. Nëse ata vlerësojnë se ka pasur ndonjë shkelje të procedurës, atëherë lënda do të kthehet për rigjykim. Nëse mendojnë se ka diçka lidhur me sanksionin, atëherë supozoj se do të ndryshohen ose mund edhe të konfirmohen. Mirëpo, derisa të marrim vendim, kjo mbetet vetëm spekulim”, deklaroi Jordan Jovanov– Gjykatës.
Së fundmi, ndaj Merkos dhe katër personave të tjerë, policia dorëzoi kallëzim penal për shembjen e shtëpisë muze të Vllado Maleskit në Strugë. Nga Prokuroria Publike thonë se është formuar lëndë dhe se janë dhënë disa urdhra për verifikim, përfshirë edhe ekspertizën përkatëse.
“Prokuroria vazhdon të sigurojë prova, pas së cilës do të merret vendimi”, thonë nga Prokuroria Publike, Strugë.
Aktualisht kundër Merkos, i cili është në listën e zezë të SHBA-së, janë aktive tre lëndë. Më 24 dhjetor në Strugë vazhdon gjykimi për ndriçimin që ai vendosi në shtratin e lumit Drini i Zi. Akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij dhe ka lidhur kontratë për realizimin e projektit të ndriçimit me 300 llamba në gjatësi prej 900 metra. Për realizimin e projektit, një person juridik nga fshati Misllodezhdë është paguar 6.8 milionë denarë. Po atë ditë vazhdon edhe procesi gjyqësor për vendosjen e paligjshme të një pllake përkujtimore në ndërtesën komunale. Merko është gjithashtu një nga të akuzuarit për ndërtim pa leje të një objekti në një hotel në Strugë. Procesi gjyqësor që zhvillohet në Gjykatën Themelore të Manastirit, ende nuk ka filluar. /Alsat.mk








