Edhe shënimi i Marrëveshjes së Ohrit bëri ‘copa’ VLEN-in dhe BDI-në

Edhe shënimi i Marrëveshjes së Ohrit bëri ‘copa’ VLEN-in dhe BDI-në

Gazetare: Fatlume Dervishi

Një ditë pas shënimit të 23-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit partitë shqiptare vazhduan përplasjet rreth organizimit, festimit të dyfishtë dhe legjitimitetit për të përfaqësuar shqiptarët në institucione. Nga VLEN thanë se shënimi i këtij përvjetori më në fund mori përmasa serioze, pa ahengje që kanë pasur qëllim pasurimin dhe pa shpenzime qindra mijëra euro.

“Dita e shënimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit më në fund mori formën e saj të duhur dhe institucionale. Ky moment historik, i cili përfaqëson arritjen më të madhe të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, më në fund është liruar nga kthetrat e individëve që për vite të tëra e përdorën për të plotësuar dëshirat e tyre personale dhe për të përvetësuar pasurinë e popullit. BDI, nga arroganca e tyre politike dhe nga qëndrimi i gjatë në pushtet, ende mendon se mund të përvetësojë çdo arritje të popullit shqiptar. Me arrogancë ata guxuan të mbajnë një event paralel për këtë datë të rëndësishme, përkundër thirrjeve të shumta për të mos ndarë popullin për këtë ngjarje që duhet të na bashkojë të gjithëve”, thonë nga VLEN.

VLEN shton se imponimi i temës së legjitimitetit është përpjekje për të mbuluar të kaluarën e mbushur me korrupsion, krim dhe keqmenaxhim.

Ndërkohë nga BDI-ja thonë se shënimi i përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit u realizua me buxhet të sakatuar.

“Shënimi i Marrëveshjes së Ohrit nga qeveria monoetnike pa legjitimitet të popullit shqiptar dhe të tjerëve, kaloi nën hijen e faktit që organizohej nga putinisti i përbetuar, një mos-njohës i pavarësisë Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjes së Ohrit si Ivan Stoilkoviq, si dhe me buxhet të sakatuar. Të vetmit mysafirë në shënimin monoetnik sa për sy e faqe ishin vazalët puthadorë të cilët nuk kanë qenë as vrima e fundit e kavallit në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe që i kanë okupuar institucionet e shtetit si humbës të zgjedhjeve…”, thonë nga BDI.

Nga BDI-ja shtojnë se që nga shtatori do të nisin konsultime publike mbi platformën për legjitimitet me botën akademike, organizatat joqeveritare, mediat dhe qytetarët./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button