A po tenton politika të keqpërdorë BFI-në për fushatë zgjedhore!?
A po tenton politika të keqpërdorë BFI-në për fushatë zgjedhore!?
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Pavarësisht se fushata zgjedhore për zgjedhjet e 19 tetorit nuk ka nisur zyrtarisht, kandidatë të caktuar për kryetarë komunash kanë filluar angazhimin e tyre për të fituar mbështetjen e elektoratit. Në këtë drejtim, përpos me qytetarët, takime kanë filluar të realizojnë madje edhe me përfaqësues të Bashkësisë Fetare Islame.
Kështu, kandidati për kryetar komune në Dibër, Ilirjan Fetahu, bartësi i listës për këshilltarë, Artin Spahiu si dhe kryetari aktual i Dibrës, Hekuran Duka, kanë vizituar myftiun e kësaj komune, Reshat Kaçallnikun. Takime të tilla hapin dyshime, meqë nuk do të ishte hera e parë që predikuesit fetar përfshihen hapur dhe orientojnë opinionin në preferencat e tyre politike në prag të zgjedhjeve.
Duke komentuar këtë takim, nga BFI na thonë se nuk e kanë zakon të refuzojnë vizita të karakterit zyrtar. Përcaktimi politik në zgjedhje është e drejtë dhe çështje individuale e gjithë secilit, thonë nga BFI.
“Sipas normativës, ju ndalohet bartësve të jetës fetare prej nivelit republikan e deri te ai lokal që të përdorin postin e tyre dhe objektet fetare për qëllime politike të cilësdo partie apo kandidati që garon në zgjedhje parlamentare apo lokale. Këtë e dëshmon fakti se deri më tani nuk kemi pasur ndonjë kërkesë nga asnjë subjekt apo kandidat garues në zgjedhjet lokale për përkrahje politike”, thonë nga BFI.
Në fakt, nuk është hera e parë që përfaqësuesit fetar përmenden në këtë kontekst. Në vitin 2020, muftiu i Strugës dhe dy imamë, marrin pjesë në një tubim të BDI-së në Strugë.
“Këtu është edhe myftiu i Strugës, faleminderit për prezencën. Faleminderit ministra, zv.kryeministër. Këtu është imami i Ladorishtit, i Labunishtit dhe shumë të tjer”, tha Ramiz Merko – Kryetar i Strugës.
Në të kaluarën, edhe vetë kreu i BFI-së ka pranuar publikisht se mbështet Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) dhe se voton për këtë parti. Madje, pati thënë se me Blerim Bexhetin e me Musa Xhaferin, janë si një familje.
“Jo jo, shumë e vërtetë është. Bile me subjektet tjera të them që nuk janë të përkatësisë kombëtare shqiptare, u kam thënë, unë jam BDI! Në çfarë pikëpamje? Unë është e vërtetë se votën time gjithnjë ia kam dhënë BDI-së, gjithnjë! Prej momentit se është kjo parti në pushtet”, u shpreh Sulejman Rexhepi – Ish kryetar i BFI-së.
Në vitin 2023, në një hulumtim nga Instituti për Hulumtime Politike IPIS, 56,6% e të anketuarve janë deklaruar se BFI është e ndjeshme ndaj ndikimeve politike. Prej tyre, madje 53,8% kanë thënë se BFI-ja më së shumti është e ndikuar nga BDI-ja.
Ky fakt ka ngritur dyshime të forta mbi neutralitetin institucional të një organizate që ligjërisht duhet të qëndrojë jashtë garës politike. Përdorimi i autoritetit fetar për qëllime politike jo vetëm që ngushton hapësirën e debatit të lirë, por edhe vendos një presion të heshtur mbi komunitetin besimtar. Në një vend shoqëror si Maqedonia ku lidhjet familjare, shoqërore dhe fetare ndërthuren ngushtë, një fjalë e thënë nga përfaqësuesit fetarë mund të peshojë më shumë se çdo fjalim elektoral. / Alsat.mk








