Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, mendon se Shqipëria ka bërë gjëra pozitive, pavarësisht humbjes ndaj Republikës Çeke. Trajneri, pas sfidës tha për “SuperSport” se i vinte keq për golin e tretë, pasi do të ishte më i kënaqur me 2-1.
“Nuk është se ka ndryshuar shumë sjellja taktike, ndoshta nuk kishim vëmendjen. Por jo fokusi, ndoshta ishim pak të lodhur, është periudhë kështu dhe nuk mund të pretendojmë se je 100%. Ata bënë gola të bukur por edhe ne ia dhuruam diçka. Më vjen keq rezultati 3-1 se nuk e meritonim kaq të thellë, 2-1 mund të ishte një rezultat më dinjitoz.
U rrëzova herën e parë në konferencë pasi erdha në Shqipëri, e dyta në Uells dhe kjo është e treta. Shpresoj ta kemi mbaruar me kaq. Duket sikur e kanë me mua, nuk është periudhë me fat. Por edhe kur përplasen dëmtohen edhe kundërshtarët se jam rezistent”, tha mes tjerash Reja.








