Edon Zhegrova hyn në formë në prag të ndeshjes së “play off”-it të Kosovës
Hyrja e Edon Zhegrovës ndryshoi plotësisht lojën e Juventusit. Derisa ndaj Gallatasarajit mesjavën e kaluar kontributi i Zhegrovës nuk ishte i mjaftueshëm, të dielën Juve nxori një pikë në ndeshjen kampionale ndaj Romës.
Luçiano Spalletti e aktivizoi Zhegrovën në minutën e 72-të, kur Juventusi po pësonte 3:1 në Romë. Dhe sulmuesi i krahut mori pjesë në dy aksionet që sollën barazimin 3:3 për skuadrën nga Torino. Goli i Xheremi Bogas në minutën e 78-të dhe ai i Federiko Gattit në minutën e 93-të u shënuan pas krosimeve të Zhegrovës.
“Ka shpërthime entuziazmi të krijuara nga momentet e cilësisë. Boga ka intuitë dhe mund të krijojë situata nga asgjë, ashtu si Kenan Jilldiz dhe Zhegrova. Duhet gjithmonë të kemi besim në sport dhe në jetë”, ka thënë Spalletti pas ndeshjes.
Forma e fundit e Zhegrovës i gëzon edhe tifozët e Kosovës, e cila më 26 mars luan me Sllovakinë në Bratislavë, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026.









