EKSKLUZIVE: UT-ja anulon konkursin për rektor, ALSAT informoi për shkeljet

EKSKLUZIVE: UT-ja anulon konkursin për rektor, ALSAT informoi për shkeljet

Gazetar: Ardit Ramadani

Universiteti i Tetovës anulon konkursin e përfolur për shkeljet diskriminuese ligjore dhe statutare për zgjedhjen e rektorit të ri të saj. Në një njoftim të shkurtër për ALSAT, i cili e trajtonte këtë çështje prej ditësh, UT thekson se konkursi anulohet për shkak të njollosjes së integritetit institucional nga palë të treta, duke nënkuptuar pikërisht televizionin ASLAT.

“Senati i Universitetit të Tetovës mbajti seancë më 29 maj 2023 dhe mori vendim për anulimin e konkursit publik për zgjedhjen e rektorit, dhe solli vendim për shpalljen e konkursit të ri për zgjedhjen e rektorit. Arsyet pse është marrë një vendim i tillë janë vetëm për faktin se procedura për zgjedhjen e rektorit duhet të kryhet pa presion nga publiku dhe palët e treta, gjë që njollos integritetin institucional të Universitetit dhe lë vend për qëllime të fshehta,“ deklaruan nga Universiteti i tetovës.

Universiteti nga ana tjetër, pranon se në mbledhjen e re të senatit, pavarësisht këmbënguljes për autonomi të këtij organi, u vendos që konkursi i ri t’i përmbahet vetëm Ligjit për Arsim të Lartë, atë që të vlejnë vetëm dy kriteret e tij, shtetas i Maqedonisë dhe profesor i rregullt.

“Megjithëse Senati ka të drejtë kushtetuese, ligjore dhe statutore për autonomi në marrjen e vendimeve në lidhje me zgjedhjen e rektorit…. u vendos që kriteret që do të përmbahen në konkursin e ri publik do të jenë vetëm ato që citohen fjalë për fjalë në ligj” u shprehën nga Universiteti i Tetovës.

Prej ditësh ALSAT dha alarmin për shkeljet diskriminuese jo vetëm të ligjit për arsim të lartë por edhe vetë statutit të universitetit, i cili i harmonizuar me ligjin ka qenë miratuar në Kuvend. Konkursi i deritanishëm kërkonte përvojë 15 vjeçare pune, duke përjashtuar cilindo kandidat me aftësi më të mira që e kishte arrit këtë titull më herët, si dhe duke specifikuar që kandidatët nuk duhet të kishin dhënë më parë dorëheqjen nga ndonjë pozitë në këtë institucion, gjithashtu diskriminuese.

Ndërkaq sot, ALSAT zbardhi edhe raportin e siguruar nga Inspektorati i Arsimit, i cili  jo vetëm që konfirmonte shkeljet dhe shqetësimet e ngritura nga ALSAT, por konfirmonte gjithashtu që edhe vetë zgjedhja e UD rektor, Kushtrim Ahmeti, ishte në shkelje me ligjin.

“Nga dokumentacioni që na u dha në ditën e inspektimit, nuk është gjetur vendim për zgjedhjen në thirrjen shkencore arsimore profesor i rregullt. Kjo nuk është në pajtim me nenin 97, paragrafi 3 nga Ligji për Arsim të Lartë. Gjithashtu, është konstatuar se asnjëri prej tre ushtruesve të detyrës së rektorit, nuk kanë filluar procedurë në afat prej 30 ditësh nga emërimi i tyre dhe as Senati nuk ka ngritur procedurë në afat prej 30 ditëve. Është konstatuar se nuk është respektuar neni 100, paragrafi 3 dhe 4 i Ligjit të Arsimit të Lartë,” thanë nga Inspektorati i Arsimit.

Pavarësisht shkeljeve ligjore dhe statutare, Universiteti i Tetovës guxoi të theksojë se ALSAT, si palë e tretë ka bërë presion duke njollosur këtë proces, ndërsa tre ditë më parë, me këmbëngulje gënjente në njoftimin e tyre për shtyp se procedurat janë konform ligjit, njësoj sikurse edhe vetë zgjedhja e ushtruesit të detyrës rektor, pa vërejtje nga Inspektorati i Arsimit, duke kërkuar madje që çdo person juridik e fizik që dëmtonte këtë proces të tyre, të kërkojë falje përndryshe do të ballafaqohej me ligjin.

Më së shumti, procedura antiligjore u mbështet pa u kontestuar edhe nga ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, i cili theksoi se këto kritere shtesë i japin cilësi procesit. Megjithatë, ministri i Arsimit nuk tha nëse ngazëllimi nga këto kritere shtesë do ta bënte atë të inicionte ndryshim të ligjit për arsim të lartë, që ky precedent antiligjor të bëhet shembull në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend. / alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button