Ekspertët kritikojnë ashpër konceptin e ri mësimor për klasat e dyta dhe të pesta

Ekspertët kritikojnë ashpër konceptin e ri mësimor për klasat e dyta dhe të pesta

Gazetare: Melihate Rustemi

Koncepti i ri mësimor, që në vitin shkollor 2022-23 do të përfshijë klasën e dytë dhe të pestë sërish ka marrë kritika nga njohësit e arsimit. Profesori, Avzi Mustafa tha se abetarja e klasës së dytë parasheh që nxënësit të mësojnë vetëm shkronjat e shkrimit dhe jo edhe të shtypit, siç ishte e zakonshme për këtë klasë. Siç tha ai, kjo do të shkaktojë vështirësi të nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Unë tash i pyes, vallë çka i duan ato shkronjat e dorës, të mëdha dhe të vogla për arsye se nuk ka dikush që shkruan letra, çdo gjë që shihet dhe që e perceptojnë nxënësit është e shkruar me germa të shtypit, librat janë me germa të shtypit, titrat në televizor me germa të shtypit, reklamat e ndryshme dhe nuk e di se ku është qëllimi i atij grupi të ekspertëve, se çka kanë menduar dhe si do ta realizojnë atë dhe çka do të arrijnë. Shkronjat e dorës kërkojnë më tepër punë, më tepër angazhim, mund të vij deri te ajo që nxënësi mos të ketë interesim”, tha Avzi Mustafa, profesor.

Profesori Mustafa shprehet i revoltuar edhe për numrin e vogël të orëve të gjuhës amtare, pesë orë në javë. Për dallim nga Maqedonia, Shqipëria ka 10 deri në 12 orë në javë gjuhë amtare ndërsa Kosova 8 ose 10 orë në javë. Sipas tij, numri i vogël i orëve do të shkaktojnë ngecje në të shkruar dhe të lexuar.

“Për të arritur që të kemi një nxënës i cili do të dijë të lexoj, të recitoj e të shkruaj bukur duhet të kemi më tepër orë, sigurisht. Nevojiten më së paku 10 orë të gjuhës amtare që të mund ta përvetësojë. Nuk i di arsyet përse janë kaq pak orë, në dëm të gjuhës amtare që është baza ku ata duhet të drejtohen i jepet një numër fare i vogël i orëve mësimore”, u shpreh Avzi Mustafa, profesor.

Tabelë dixhitale, kompjuter, pajisje dixhitale si kamerë, telefon, televizor ose radio, por edhe pllaka logjike, vegla kopshti e shumë të tjera, janë vetëm një pjesë e pajisjeve që do t’u nevojiten nxënësve të klasës së dytë për të realizuar plan programin mësimor. Byroja e Zhvillimit të Arsimit tashmë ka publikuar programet mësimore për lëndët e klasës së dytë dhe të pestë, ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në pritje të botimit të teksteve të reja për këto lëndë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button