Ekspertët për dështimin e nisjes së bisedimeve me BE-në

Pas dështimit fillimi i negociatave për anëtarësim në BE, ekspertët vlerësojnë se vendit megjithatë i mbetet t’i zbatojë reformat dhe ta evropianizojë shoqërinë. Sipas ish ambasadorit Risto Nikovski, vendi ka ngecur me reformat aq shumë, sa që edhe po të mos ishte vetoja bullgare, vështirë se do t’i fillonim negociatat këtë vit.

Çelësi për suksesin dhe progresin tonë të mëtejshëm drejt BE-së është t’i bëjmë reformat në vend. As kjo Qeveri e as ajo paraprake nuk bënë asgjë. Nga ajo që BE kërkon në Sundimin e ligjit, lirinë e e mediave, funksionimin e sistemit të drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit, asgjë nuk është bërë deri tani. Dhe po të mos ishte Bullgaria, ne pa dyshim, do të përballeshim, nëse jo me veto, me një shtyrje të fillimit të negociatave. Të jemi të qartë, fillimi i negociatave nuk do të thotë asgjë, sepse ato do të zgjasin- deklaroi Risto Nikovski, Ish ambasador.

Profesori, Nikolla Dujovski thotë se me veton bullgare megjithatë do të vihet në pikëpyetje zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe, siç është edhe ajo me Greqinë.

Në Marrëveshjen me Greqinë qartë përcaktohet se në cilat faza të integrimit evropian cilat segmente të marrëveshjes duhet të zbatohen. Nëse nuk i hapim kapitujt, nuk do t’i zbatojmë disa pjesë. Marrëveshja me Bullgarinë nuk ka këso dispozitash, por zbatimi i saj do të vështirësohet, veçanërisht sepse Sofja zyrtare përskaj marrëveshjes kërkon shumë çështje të tjera. Porosia më e fuqishme që tani duhet ta përçojmë është se duam të vazhdojmë në rrugën europiane- pohoi Nikolla Dujovski, Profesor.

Dujovski dhe Nikovski nuk presin zgjidhje të shpejtë për kontestin me Sofjen, në veçanti në rënien e besimit të qytetarëve në Bashkimin Evropian.

Edhe përkrahja e qytetarëve për integrimin në BE do të ulet, mund të bie nën 50%, por kjo në këtë moment nuk është më e rëndësishmja sepse politikanët edhe më tej vazhdojnë ta kërkojnë zgjidhjen. Nuk pres të ketë zgjidhje të shpejtë mes dy shteteve. Nuk do të ndodhë diçka e tillë. Ndoshta BE-ja do të ndryshojë politikat e saja, pozicionet e veçanërisht mënyrën e vendimmarrjes- tha Nikolla Dujovski, Profesor.


E para që vendi duhet të bëjë në raport me Bullgarinë është ta ndërpresë punën e komisionit të përbashkët të historisë, sepse politikat që i plasoi Bullgaria në mënyrën më zyrtare, përmes Akademisë, Qeverisë dhe Kuvendit janë obligative dhe e pengojnë punën objektive dhe shkencore të komisionit- shtoi Risto Nikovski, Ish ambasador.

Pasi BE dështoi të miratonte kornizën negociuese për vendin, Qeveria doli me qëndrim se megjithatë nuk do të lejojë të ngecin reformat e brendshme.

Anesa Salihu

 

LEXO EDHE:

Back to top button