Fushata parlamentare – Kush, çka premtoi sot?

Fushata parlamentare – Kush, çka premtoi sot?

Gazetare: Ajnur Bafqari

Kreu i partisë “E majta” Dimitar Apasiev, shpalosi të të ashtuquajturën “Platforma e Maqedonisë” para banorëve të Manastirit, shkruan Alsat.

Ai tha se kjo platformë ka të bëjë me ruajtjen e integritetit territorial, sovranitetin, unifikimin dhe simbolet shtetërore. Nënvizoi se para qytetarëve janë tre platforma, dhe ata do të vendosin vetë se cilën do ta zgjedhin.

“Platforma e parë është “Platforma e Tiranës”, pas së cilës qëndrojnë parti neoballiste të pakicës shqiptare, pavarësisht nëse është BDI, apo koalicioni Vlen, se ai është koncepti i njëjtë, që çon drejt dekompozimit të shtetit. Platforma e dytë është platforma e Sofjes”, tha Dimitar Apasiev, “E majta”.

Karavani i LSDM-së në kuadër të fushatës ndaloi në Negotinë. Kryetari i kësaj partie, Dimitar Kovaçevski tha se më të drejtë një pjese të qytetarëve shprehën pakënaqësi ndaj politikave të kësaj partie. Ai nënvizoi se koncepti “një shoqëri për të gjithë “ shpesh është keqpërdorur nga struktura të caktuara politike, por nënvizoi se herën tjetër do të jenë më të kujdesshëm.

“Jam i vetëdijshëm edhe se inkluziviteti ynë por edhe koncepti një shoqëri për të gjithë, shpesh është keqpërdorur nga fuqi dhe struktura të caktuara politike në vend për përfitime personale. Ndoshta dhamë shumë në situata të caktuara, dhamë shumë, ndërsa morëm shumë pak në këmbim”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, LSDM.

Koalicioni VLEN vazhdon fushatën duke realizuar takime direkte me qytetarët duke ua prezantuar programin e tyre. Izet Mexhiti gjatë vizitës në tregun e gjelbër deklaroi se po procesohen të gjitha keqpërdorimet zgjedhore që po bëhen nga ana e Frontit Evropian, duke nënvizuar se pas procesimit do të ketë përgjegjësi.

“Fronti Evropian, përveç shantazheve që i bën, përveç që keqpërdor institucionet, ministrinë e Punëve të Brendshme, Bashkësinë Islame, policinë, presionet, blerjen e votave E dijmë edhe sa mjete kanë prish nëpër këmbimoret e Shkupit, Tetovës, e dimë edhe kush i ka blerë votat…Të gjitha këto janë të evidentuara dhe do të procesohen në gjyq dhe do të marrin përgjegjësi”, theksoi Izet Mexhiti, VLEN.

VMRO-DPMNE shpalosi programin para banorëve të Kumanovës. Numri “një” i kësaj partie Hristijan Mickoski u zotua se partia që drejton ai, do ta ndryshojnë imazhin e vendit. Ndërsa pas rënies së kësaj qeverie, Mickoski tha se kundërshtarët e tij do të ballafaqohen me përgjegjësi.

“Paratë që i vodhën nga populli, paratë e tendereve, paratë e marrëveshjeve në katër sy. Ato para do të duhet që t’ia kthejnë mbrapa popullit, ndërsa ata të japin përgjegjësi. Do të japin përgjegjësi edhe për atë që Maqedoninë e prunë buzë varfërisë”, tha Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

Kandidati për deputet nga Fronti Evropian, Naim Bajrami, tha se vendi duhet doemos të ndjek rrugën evropiane. Zgjedhjet e 8 majit ai i cilësoi si një referendum për të ardhmen evropiane të vendit, ndërsa nënvizoi se shtyrja e bisedimeve për anëtarësim do të nënkuptonte stagnim, pasiguri dhe izolim.

“Shtyrja e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian apo pasivizimi i agjendës evropiane e vendos në pikëpyetje edhe procesin e reformave në vend dhe si rezultat rrezikon stagnim, pasiguri, izolim dhe mungesën e një perspective të qartë zhvillimore”, u shpreh Naim Bajrami, Fronti Evropian./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button