Elhame Bilalli në “Ftesë në studio”: Ja kush ishin aktoret e para shqiptare në Shkup
Elhame Bilalli në “Ftesë në studio”: Ja kush ishin aktoret e para shqiptare në Shkup

Në emisionin e sotëm “Ftesë në studio”, gazetarja Xhemazije Rizvani mirëpriti aktoren e njohur Elhame Bilalli, një nga zërat e parë femërorë në skenën e Teatrit Shqiptar të Shkupit, i njohur në ato vite si Teatri i Kombësive. Biseda u përqendrua në kujtimet e Bilallit për kohën kur ajo filloi karrierën e saj artistike, në vitin 1963. Ishte një periudhë kur skena teatrore dominohej nga burra, dhe praninë e grave në teatër e shënonin vetëm disa emra të rrallë. “Elhame Bilalli ishte e gjashta ndër aktoret femra që ngjitën skenën e këtij teatri,” theksoi Rizvani.
Para saj, në skenën e Teatrit të Kombësive kishin interpretuar: Meserete Çavoli, Antoneta Kovaçeviq, Vera Joze, Leze Tomi dhe Dijana Mehmeti – të gjitha emra që lanë gjurmë në artin skenik shqiptar. Pavarësisht sfidave dhe mungesës së grave në trupën teatrore, repertori i teatrit asokohe ka qenë i pasur dhe i qëndrueshëm. “Shfaqjet janë luajtur çdo natë,” kujton aktorja Bilalli, “dhe publiku e mbushte sallën deri në vendin e fundit.
Interesimi për artin skenik ishte i jashtëzakonshëm, ndryshe nga çfarë ndodh sot.” Në një kohë kur infrastruktura kulturore nuk ishte e zhvilluar si sot dhe roli i gruas në art kishte pengesa të mëdha, rrëfimi i Elhame Bilallit vjen si një dëshmi e gjallë e përkushtimit, pasionit dhe guximit për t’i dhënë zë dhe formë artit skenik shqip në Shkup. Ky emision u shndërrua në një homazh për një brez aktorësh që e krijuan themelin e teatrit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe u bë një ftesë për të rikthyer vëmendjen e publikut dhe institucioneve te kujtesa kulturore dhe trashëgimia artistike.