Prodekania Jëlldëz Asani promovon dy libra të rinj mbi historinë e artit në emisionin “Ftesë në studio”
Prodekania Jëlldëz Asani promovon dy libra të rinj mbi historinë e artit në emisionin “Ftesë në studio”

Shkup, 21 prill 2025 – Sot në emisionin “Ftesë në studio”, e ftuar ishte prodekania për arsim në Universitetin e Tetovës, njëherësh kritike dhe historiane arti, profesoresha Jëlldëz Asani. Në një bisedë me moderatoren Xhemazije Rizvani, ajo foli për dy librat e saj më të rinj, të cilët do të përurohen më 23 prill, në orën 14:00, në Amfiteatrin “Adylselam Emini” pranë Fakultetit të Kulturës Fizike në UT.
Librat mbajnë titujt: “Nga perspektiva e Renesansës tek iluzioni optik i Manierizmit” dhe “Dritëhijet e Barokut dhe teatraliteti i Rokokosë”. Gjatë emisionit, profesoresha Asani ndau me publikun përvojën e saj kërkimore, sfidat gjatë sistemimit të materialit dhe thellësinë me të cilën i ka trajtuar këto periudha historike të artit evropian. “Kam studiuar me përkushtim epokën e Renesansës dhe Manierizmit, si dhe ndikimet e mëvonshme të Barokut dhe Rokokosë, me qëllim që t’i paraqes këto periudha në një formë sa më të qartë dhe të strukturuar,” u shpreh ajo, duke theksuar rëndësinë që këto studime kanë për studentët e artit figurativ dhe studiuesit e fushës. Në lidhje me librin e dytë, ajo shtoi: “Baroku është një nga stilet më të diskutueshme të historisë së artit.
Historia e termit është po aq e ndërlikuar sa edhe arti që përshkruan. Paraqitja e Barokut është nxitur nga ndryshimet që po përjetonte Evropa, veçanërisht përpjekjet e kishës për të rikthyer ndikimin e saj pas periudhës së Renesansës.” Vlen të theksohet se botimi i librit për Renesansën është mbështetur nga Ministria e Kulturës, ndërsa ai për Barokun dhe Rokokonë nga Universiteti i Tetovës. Promovimi i këtyre librave pritet të sjellë një qasje të re në fushën e historisë së artit dhe të ndihmojë në pasurimin e literaturës akademike në gjuhën shqipe. Librat do të jenë në shitje në librarinë universitare të UT- së.