Elizabeth II: Ju nuk jeni vetëm, edhe në netët më të errëta ka shpresë

Mbretëresha Elizabeth II u përpoq sot, gjatë fjalimit të saj për Krishtlindje, të transmetonte shpresë, e pranishme dhe në netët më të errëta për britanikët, të goditur rëndë nga pandemia.

- Advertisment -

“Për shumë,  ky vit ka qenë plot trishtim, disa kanë vajtuar humbjen e një të dashuri, të tjerëve u mungojnë miqtë dhe familja, ndërkohë që ata do të donin për Krishtlindje një përqafim të thjeshtë apo një shtrëngim dore”, theksoi sovranja 94-vjeçare.

“Nëse kjo është çështja juaj, ju nuk jeni vetëm”, siguroi ajo.

Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar rreth 70 000 të vdekur në Britaninë e Madhe, një prej bilanceve më të rënda në Europë.

Përkeqësimi i fundit, i lidhur nga autoritetet me një mutacion të ri të koronavirusit, më ngjitës, ka bërë që qeveria të anulojë autorizimin e dhënë familjeve për t’u takuar për Krishtlindje në shumë rajone.

Këtë vit, është hera e parë që prej dekadash që çifti nuk shkon në Sandringham në Anglinë lindore për të festuar me familjen mbretërore.

Zakonisht, qindra mbështetës mblidhen për të përshëndetur anëtarët e familjes mbretërore ndërsa ata shkojnë në kishë gjatë Krishtlindjeve, por për shkak të pandemisë, rituali është anuluar këtë vit.

“Asnjë vizitë nuk është planifikuar këtë vit”, theksoi zëdhënësi i Pallatit Buckingham. Në vend të frekuentimit të saj tradicional në kishë, mbretëresha planifikon të marrë pjesë në një shërbesë private në një kishëz në zonat e kalasë.

“Ne nuk mund ta festojmë lindjen e Krishtit si zakonisht (…) por jeta duhet të vazhdojë”, nënvizoi mbretëresha Elizabeth II.

Ajo vuri në dukje shembullin e atyre që dolën vullnetarë për të ndihmuar më të rrezikuarit, dhe personelin shëndetësor.

“Ne vazhdojmë të frymëzohemi nga mirësia e të huajve dhe gjejmë ngushëllim për faktin se edhe në netët më të errëta ka shpresë”, theksoi ajo.

“Në Britaninë e Madhe dhe kudo në botë, popujt i janë përgjigjur në mënyrë të jashtëzakonshme sfidave të vitit dhe jam krenare dhe e emocionuar nga kjo shpresë e heshtur dhe e pathyeshme”, deklaroi ajo.

LEXO EDHE:

Back to top button