Emërimi i ambasadorëve, me hapa të breshkës

Emërimi i ambasadorëve, me hapa të breshkës

Gazetare: Ajnure Bafqari

Katër nga pesë ambasadorët e nominuar që do të duhej të niseshin drejt përfaqësive diplomatike, ngecën përsëri në labirinthet e Kuvendit, pa pasur mundësinë e prezantimit të tezave të tyre. Në seancën e 23-të të Komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme, këtë filtër e kaloi vetëm Zoran Popov, i cili emërohet ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Popov më herët ishte sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pozita e ambasadorit në SHBA ishte e zbrazët për më shumë se 4 vite. Ambasadori i fundit atje ishte Vasko Naumovski, shkruan Alsat.

Popov tezat e tij për misionin diplomatik në SHBA, i prezantoi prapa dyerve të mbyllura, për shkak të karakterit të besueshëm të informacioneve. Në sallën “Boris Trajkovski”, fjalimin e tij patën mundësi ta ndjekin vetëm deputetët që posedonin certifikata sigurie.

Menjëherë pas pjesës së mbyllur, për shkak të seancës plenare, puna e këtij komisioni u ndërpre dhe i njëjti duhet të caktohet në mënyrë shtesë.

Katër ambasadorët e mbetur, përpara anëtarëve të komisionit, tezat e tyre për aktivitetet diplomatike do të duhet t’i prezantojnë edhe Agron Buxhaku i cili është nominuar për në Kanada, Driton Kuçi në Norvegji, Metodija Balevski në Belgjikë dhe Evgenia Ilieva në Slloveni.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme njoftojnë se edhe tre ambasadorë të tjerë kanë marrë miratime dhe për të njëjtit po vijojnë përgatitjet për marrjen e detyrës. Bëhet fjalë për Viktor Dimovskin i nominuar për ambasador në Francë, Agnesa Rusi për në Bullgari dhe Jovan Manasijevski në Turqi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button