Emrat e qeverisë së Kovaçevskit zyrtarizohen nesër

Gazetar: Fatlume Dervishi

Kompletimi i emrave të kabinetit të ri qeveritar është pothuajse punë e kryer. Mandatari Dimitar Kovaçevski sot takon kryesinë e ngushtë të partisë për një konfirmim të fundit të emrave që ka zgjedhur, pas konsultimeve edhe me partnerët e koalicionit qeveritar. Të hënën pasdite, në mbledhjen e kryesisë qendrore, Kovaçevski do t’i konfirmojë ato emra edhe para organeve të partisë. Për opinionin emrat nuk janë zyrtarizuar por mediat tashmë raportojnë jozyrtarisht për disa prej tyre.

Qeveria e Kovaçevskit
• Sanja Llukarevska – zv/kryeministre për luftë kundër korrupsionit
• Bojan Mariçiq – zv/kryeministër për çështje evropiane
• Fatmir Bytyqi – zv/kryeministër për çështje ekonomike
• Mile Zeqeviç – ministër për Punë të Brendshme
• Lupço Nikollovski – ministër i Mbrojtjes
• Millan Zhivkoviq – ministër për Punë dhe Politikë Sociale
• Sllavjanka Petrovska – ministre e Drejtësisë
• Trajan Dimkov – ministër i Bujqësisë

Dilema ka pasur për ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve por gjasat janë që ajo të drejtohet edhe më tej nga Bllagoj Boçvarski. Partitë shqiptare të koalicionit mbeten te kuadrot e njëjta.

Kovaçevski në intervistë për MIA-n, i pyetur nëse ka kuadro të pazëvendësueshëm nga përbërja aktuale e ekzekutivit deklaron:

“Secili është i zëvendësueshëm, posaçërisht nëse në një moment të caktuar nuk është më në nivelin e detyrës. Ky është parim bazë për menaxhim efikas dhe Qeveria e re do të udhëhiqet nga ky parim. Sa i takon përbërjes së re qeveritare dhe resorëve që do të drejtojë LSDM-ja, bëhet fjalë për ekip të ri njerëzish por edhe kuadro të dëshmuar të qeverisë paraprake të cilët kanë pasur realizim të mirë dhe rezultate në resorët e tyre”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, mandatar për kryeministër.

Kovaçevski pritet të dorëzojë propozimin për kabinetin e ri qeveritar në Kuvend ditën e martë dhe ai të votohet gjatë fundjavës së ardhshme. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button