Ende s’është tërhequr libri i Gjeografisë, do të shqyrtohet përmbajtja

Ka filluar me punë Komisioni shtatë anëtarësh i cili pritet të shqyrtojë përmbajtjen e librit të Gjeografisë për vitin e dytë. Ministrja e Arsimit Carovska tha se prioritet i dikasterit që ajo drejton është shqyrtimi i përmbajtjeve kontestuese nëpër libra.

“Çdo libër për të cilin ka pasur reagime se në vete ka përmbajtje diskriminuese do të tërhiqet. Në vazhdimësi po tërhiqen libra të cilët gjatë viteve të shkuara, kanë pasur përmbajtje fyese, për grupe të ndryshme të qytetarëve të vendit tone. Për momentin punojmë në zgjidhje sistemore dhe vendosjen e filtrave që më vonë mos të ndodhë që të ketë përmbajtje të tilla në sistemin arsimor”, tha Milla Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Zgjidhjen me tekstet kontestuese, Carovska e sheh përmes reformave sistemore.

“Tërheqja është vetëm për të treguar vullnet politik për mos ekzistimin e përmbajtjeve të tilla. Derisa zgjidhja sistemore rregullohet me ligj i cili duhet të vërtetojë dhe të tregojë se cilat janë filtrat dhe metodologjia e vendosjes së ndonjë materiali didaktik, jo patjetër libër, në sistemin arsimor. Dhe kjo shumë shpejtë do të prezantohet në opinion”, pohoi Milla Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Puna e Komisionit zgjatë nga 7 deri në 10 ditë. Pas kësaj periudhe kohore i njëjti duhet të dalë me epilog nëse libri do të vazhdojë të jetë në duart e nxënësve, apo do të tërhiqet nga përdorimi. Ndryshe, në librin e Gjeografisë për vitin e dytë të Gjimnazit, shqiptarët cilësohen si ardhacakë. Gjegjësisht si popullsi maqedonase që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe janë shqiptarizuar. Ky libër është botuar në vitin 2002 ndërsa është ribotuar edhe gjashtë herë pa asnjë ndërhyrje.

Vjollca Aliti                                        

LEXO EDHE:

Back to top button