Erdogan e vë në siklet Putinin, kjo është arsyeja (Video)

Erdogan e vë në siklet Putinin, kjo është arsyeja (Video)

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është vënë në siklet, pasi mbeti i vetëm në një hapësirë përplot gazetarë teksa priste të takonte homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan në takimin në Iran.

Pamjet e marra para takimit të së martës shfaqin Putinin si të shqetësuar duke bërë lëvizje e grimasa të sikletshme para kamerave, për gati një minutë para se më në fund të përshëndetej nga Erdogani, shkruan “The Guardian” të mërkurën.

Ka qenë një gjë jo fort e zakonshme për liderin rus, që tashmë ka reputacion në botë për të lënë liderët ta presin, me qëllim, e madje edhe për orë të tëra. Është spekuluar se ky veprim i Erdoganit mund të jetë një “hakmarrje” për takimin e 2020-s në Moskë, kur turku priti aq gjatë sa që në pritje u detyrua të merrte një karrige për të pushuar.

“Ato 50 sekonda në të cilat Erdogani e detyroi Putinin të priste, e ku ai dukej i trullosur para kamerave, tregojnë se sa shumë ka ndryshuar pas Ukrainës”, ka thënë Joyce Karam, korrespodente e lartë në organizatën mediatike të Lindjes së Mesme “National News” në një postim në Twitter. Ajo e quajti veprimin e Erdoganit “një hakmarrje të ëmbël”, pasi rusi e la të priste për dy minuta në takimin e 2020-s. Atë kohë, mediat turke kishin raportuar se presidenti është ndier i poshtëruar.

Putini tashmë njihet që lë liderët të presin në takime. Ai ishte vonuar për 14 minuta në një takim me mbretëreshën britanike më 2003. Po ashtu kishte lënë të priste Papën Françesko më 2015 në Vatikan, ndërsa ish-presidenti amerikan Donald Trump e priti për 45 minuta më 2018 para samitit në Helsinki.

Erdogani është duke tentuar të ndërmjetësojë një marrëveshje që do të lejonte mijëra tonë drithë që po bllokohen nga Rusia, të lirohen nga portet e Ukrainës. Turqia, anëtare e NATO-s, ka përgjegjësi të veçantë sipas Konventës së Montreuxit të vitit 1936 për trafikun detar që hyn në Detin e Zi.

LEXO EDHE:

Back to top button