Erdogan: Erdhën 3 milionë vaksina, furnizimi do të vazhdojë

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha sot se nga vaksina që është prodhuar në Kinë kundër llojit të ri të koronavirusit (Covid-19) kanë mbërritur në Turqi 3 milionë doza dhe ardhja e vaksinave të tjera do të vazhdojë.

Pas faljes së namazit të xhumasë (të premtes) në Xhaminë e Madhe të Shën Sofisë në Stamboll Presidenti Erdoan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Duke deklaruar se 2020-a ishte një vit intensiv dhe me plot dhimbje për të gjithë njerëzimin, Erdoani deklaroi se është bërë progres në lidhje me vaksinat e zhvilluara kundër Covid-19.

“Si rezultat i bisedimeve që kemi bërë, (nga Kina) erdhën 3 milionë doza me vaksinë dhe kjo seri do të vazhdojë. Synimi ynë është 50 milionë doza. Përveç kësaj, bëhet fjalë që po kaq doza të vijnë edhe nga Gjermania”, deklaroi udhëheqësi turk.

Presidenti gjithashtu deklaroi se gjatë bisedimeve me Gjermaninë është folur edhe për bashkëprodhim të vaksinave.

“Në lidhje me këtë çështje vazhdon të punojë edhe TUBITAK(Këshilli i Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike i Turqisë). Ka zhvillime pozitive. Kemi një projekt të ngjashëm edhe me Rusinë. Nga ana tjetër kemi punime që Turqia i zhvillon brenda strukturave dhe mundësive të veta. Uroj që falë masave të marra viti 2021 të jetë viti i rënies së rasteve (me koronavirus)”, përfundoi Erdoan.

LEXO EDHE:

Back to top button