Turqia njofton detaje mbi vaksinat antiCOVID: 2 doza me 28 ditë diferencë

Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, deklaroi të mërkurën se Turqia do t’i bëjë vaksinat joaktive të koronavirusit ri në 2 doza, me 28 ditë diferencë.

“Stafi shëndetësor dhe shtëpitë e pleqve do të marrin të parët vaksinat. Vaksinat joaktive të koronavirusit ri do të bëhen në 2 doza, me 28 ditë diferencë”, shkroi Koca në rrjetin social “Twitter”, pas një takimi virtual të Komitetit Shkencor për Koronavirusin.

Ai shtoi se autoritetet po planifikojnë që ta menaxhojnë programin e vaksinimit në qendrat shëndetësore familjare, spitalet publike, private dhe universitare.

Fahrettin Koca bëri me dije se vaksinimi në Turqi do të fillojë në vitin 2021, të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e quajti Viti Ndërkombëtar i Punonjësve të Shëndetit dhe Kujdesit, duke vaksinuar punonjësit e kujdesit shëndetësor si një hap i parë drejt kalimit në masat parandaluese kundër COVID-19.

Ministri saktësoi se partia e parë e 3 milionë dozave të vaksinave “CoronaVac”, të zhvilluara nga kompania kineze “SinoVac”, ishte dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë vetëm pak orë pas mbërritjes me avion në kryeqytetin Ankara të vendit, të mërkurën herët.

“Analiza e përmbajtjes së dërgesës ka filluar”, theksoi ai duke shpjeguar se mostra të rastësishme dozash ishin dërguar në laboratorët e Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të Turqisë.

Nëse vaksina i kalon këto teste – vijoi ministri – ajo mund të aprovohet për përdorim emergjent.

“Në këtë proces, vaksinat do të shpërndahen në depot provinciale me automjete të Ministrisë të dizajnuara posaçërisht dhe me klimatizues”, tha ai.

Pasi nënvizoi se autoritetet do të monitorojnë në mënyrë digjitale sesi transportohen, menaxhohen dhe regjistrohen vaksinat, ministri Koca shtoi se shpërndarja e vaksinave dhe rezultatet e aplikimit gjithashtu do të ndahen me publikun drejtpërdrejt në kohë reale.

LEXO EDHE:

Back to top button