Erdon Daci, me Vesterlon në elitën e Belgjikës

Reprezentuesi i Maqedonisë, Erdon Daci, mbrëmë festoi titullin e kampionit në Ligën e Dytë të Belgjikës, me skuadrën e Vesterlos, i cili në sezonin e ardhshëm do të garojë në elitën e futbollit belg. Skuadra e Vesterlos, dy xhiro më parë arriti që të krijojë epërsi e paaritshme ndaj konkurentëve të tjerë dhe siguroi vendin e pare në tabelë.
Ndërkohë në përballjen me Molenbekun, i cili do të luajë në balotazhin për Ligën e Parë në Belgjikë, u shënuan 4 gola dhe ndeshja u mbyll me ndarje të pikëve. Erdon Daci mbylli sezonin me 10 gola, ose vetëm 2 gola më pak nga Mederer dhe Martens, që janë në kreun e listës së golashënuesve në Ligën e Dytë të Belgjikës.
Kujtojmë se Erdon Daci ishte pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë për sfidave të balotazhit për Botërorin “Katar 2022”, kundër Italisë dhe Portugalisë, por që nuk arriti që të debutojë në fanellën e seniorëve.