Është e paqartë se kur do të miratohet dhe zbatohet në praktikë Kodi i ri Penal
Është e paqartë se kur do të miratohet dhe zbatohet në praktikë Kodi i ri Penal

Gazetar: Mihaillo Donev
Ende mbetet e pasigurt se kur do të miratohet dhe zbatohet në praktikë Kodi i ri Penal, megjithëse ai tashmë është përgatitur nga një grup pune nga Ministria e Drejtësisë dhe është dërguar në Komisionin Evropian për vlerësim. Porositë nga pushteti ekzekutiv në periudhën e kaluar gjithashtu shkojnë në drejtimin që duhet të miratohet një zgjidhje krejtësisht e re ligjore si pjesë e procesit të reformës në gjyqësor, por nga Qeveria nuk zbulojnë se kur do të ndodhë kjo.
Si Qeveri, ne pohojmë se Kodi Penal duhet të jetë zgjidhje që do të ofrojë siguri juridike dhe do të jetë në përputhje me nevojat e sistemit të drejtësisë. Kur zgjidhja ligjore do të formohet plotësisht, ne do të informojmë opinionin në kohën e duhur, thanë nga Qeveria.
– Kodi penal, zgjidhje që do të ofrojë siguri juridike
Kodi Penal është përkthyer në anglisht, janë përgatitur tabelat e korrespondencës , si detyrim nga Skriningu bilateral për Kapitullin 23, por edhe prej atje pritet dritë jeshile nga Komisioni Evropian, në mënyrë që procedura rreth kësaj zgjidhjeje ligjore të mund të vazhdojë në vend. Pasi Komisioni Evropian të aprovojë ligjin, një grup pune brenda Ministrisë së Drejtësisë do të mbajë takime për të përfshirë mendimet e marra në ligjin, do të mbahen debate publike dhe teksti i ligjit do t’i dorëzohet së pari Qeverisë, e më pas edhe në procedurë parlamentare. Kodi Penal duhet të votohet me shumicë të thjeshtë. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal sipas Komisioni Evropian kishin dobësuar kornizën juridike duke ndikuar negativisht në luftën kundër korrupsionit. U kërkua që vendi duhet të miratojë Kod të ri Penal në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal parashikuan ulje drastike të dënimeve për veprime të shpërdorimit të detyrës dhe bashkimit kriminal, si dhe kontribuuan në vjetërsimin e çështjeve me vepra që përfshijnë korrupsion të profilit të lartë. Sipas Komisionit Evropian, përveç miratimit të Kodit të ri Penal në përputhje me ligjin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare, Maqedonia e Veriut duhet të përmirësojë dosjen e saj në rastet e korrupsionit të lartë – me hetime proaktive, profesionale dhe transparente dhe aktgjykime përfundimtare. /alsat.mk