Është hapur procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë së Pajazitit
Është hapur procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë së Pajazitit
Gazetar: Mihajllo Donev
Hapet procedura për përcaktimin e përgjegjësisë së gjykatësit Paijazit Pajziti. Vendimin e kanë marrë anëtarët e Këshillit Gjyqësor, të cilët dje shqyrtuan këtë çështje me kërkesë të anëtarit Aleksandar Kambovski. Seanca e zhvilluar me dyer të mbyllura ka zgjatur për orë të tëra dhe ka pasur qëndrime të kundërta nga anëtarët e këshillit gjyqësor. Në fund, megjithatë, është marrë vendim për inicimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së gjykatësit Pajaziti. Kjo do të thotë se në të ardhmen Komisioni i posaçëm i përbërë nga disa anëtarë të Këshillit, do të duhet të caktojë datën për mbajtjen e seancës kryesore, ndërsa pastaj të përgatisë raport për të përcaktuar gjendjen faktike. Raporti do të duhet të dorëzohet në këshillin gjyqësor, i cili paraqet fazën e fundit të këtij rasti kur do të dihet fati i gjykatësit Pajaziti – nëse ai do të shkarkohet nga detyra e tij gjyqësore, nëse do t’i shqiptohej vërejtje apo gjobë. Nga Këshilli Gjyqësor nuk u përgjigjën në asnjë pyetje – as për seancën e djeshme, as për procedurën e mëtutjeshme. Kërkesa për përgjegjësi nga gjykatësi Pajaziti vjen pasi dy muaj më parë Këshilli Gjyqësor konstatoi mangësi në trajtimin e rastit të ekstradimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani. Këshilli ka konstatuar se ka qenë gjykatësi Pajaziti ai që ia ka zëvendësuar masën e paraburgimit efektiv Ramadanit me arrest shtëpiak pa dhënë shpjegime shtesë për arsyet dhe nuk ka përcaktuar mënyrën se si do ta kryejë vëzhgimin policia ku në fund Ramadani është arratisur nga vendi. Pas kësaj situate të konstatuar në këshill, anëtari i Këshillit Gjyqësor Kambovski kërkoi që ndaj Pajazitit të fillojë procedurë disiplinore, por më pas anëtarët e këshillit ia refuzuan kërkesën. Dje kërkesa e tij është pranuar.
Krahas Kambovskit, në Komisionin që ka konstatuar mangësitë në punën e Pajazitit janë edhe anëtarët Loreta Georgiva dhe Mirsad Suroji dhe duhet ta udhëheqin rastin deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Mandati i Georgievës dhe Surojit në këshill skadon më 18 dhjetor, ndërsa Këshilli Gjyqësor ende nuk është përgjigjur nëse do të zëvendësohen nga anëtarë të tjetër nëse deri atëherë nuk merret vendim nga ana e Komisionit.
Në seancën kryesore për kërkesën për përgjegjësi nga gjykatësi, mundësi të mbrohet do të ketë edhe vetë Pajaziti, i cili do të duhet të jetë i pranishëm në seancë. /Alsat.mk