Shkencëtarët kanë gjetur një mënyrë për të trajtuar infeksionin e lëkurës me Staphylococcus aureus, të cilin e kanë disa pacientë me kancer, dhe shpesh pacientë në spital, pa përdorimin e antibiotikëve.
Studiuesit në Universitetin e Kopenhagës përdorën një version sintetik të një enzime të prodhuar natyrshëm nga bakteriofagët (viruset që infektojnë bakteret) dhe e përdorën atë për të zhdukur “Staphylococcus aureus” në mostrat e biopsisë nga njerëzit me limfomë të lëkurës.
– Për njerëzit që janë të sëmurë rëndë nga limfoma e lëkurës, stafilokoku mund të jetë një problem i madh dhe ndonjëherë i pazgjidhshëm, sepse shumë infektohen me një lloj stafilokoku që është rezistent ndaj antibiotikëve – shpjegon imunologu Niels Odum nga Universiteti i Kopenhagës.
– Prandaj, kujdesemi që të mos u japim antibiotikë të gjithëve, sepse nuk duam të merremi më vonë me baktere më rezistente. Prandaj është e rëndësishme të gjejmë mënyra të reja për trajtimin dhe parandalimin e këtyre infeksioneve – shpjegon Odum.
Ai dhe kolegët e tij eksperimentuan me një klasë të re agjentësh antibakterialë të quajtur endolizina.
Endolizinat janë enzima të prodhuara natyrshëm nga bakterofagët. Pas infektimit, ato shkatërrojnë bakteret nga brenda.
Megjithëse këto eksperimente laboratorike me mostrat e biopsisë së lëkurës në enë plastike janë larg nga shërimi i infeksioneve të lëkurës dhe kancerit, rezultatet janë premtuese.








