Eskobar në Beograd: pres vazhdim të dialogut
Eskobar në Beograd: pres vazhdim të dialogut

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, të vazhdojë “në mënyrë dinamike dhe konstruktive”. “Kjo është e rëndësishme si për qytetarët, ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon”, tha Escobar. Ai i bëri komentet në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Vuçiq, në anën tjetër, tha se ka mbajtur “bisedime të rëndësishme” me diplomatin e lartë amerikan. Në rrjetet sociale, Vuçiq tha se është biseduar “për të gjitha zhvillimet aktuale” dhe për çështjet e hapura” në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Ai tha se ka këmbëngulur në “zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, si dhe të së drejtës ndërkombëtare. Të mërkurën në Prishtinë, Eskobar takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.