Estonia nis heqjen e monumenteve të epokës sovjetike nga ambientet publike

Estonia nis heqjen e monumenteve të epokës sovjetike nga ambientet publike

Estonia ka vendosur të heqë nga ambientet publike monumentet që i përkasin epokës sovjetike.

Kjo lëvizje synon të parandalojë krijimin e konflikteve dhe armiqësive në shoqëri, duke lënë pas në këtë mënyrë plagët e vjetra.

BBC raporton se një tank T-34 që ndodhej në qyteti Narva, i cili kufizohet me Rusinë po transportohet në Muzeun e Luftës të Estonisë.

Narva është qyteti i tretë më i madh në Estoni, ku 97% e popullsisë flasin rusisht.

Në deklaratën e saj, kryeministrja Kaja Kallas tha se qeveria e saj “nuk do t’i lejojë Rusisë mundësinë për të përdorur të kaluarën për të prishur paqen në Estoni”.

“Duke marrë parasysh shpejtësinë e rritjes së tensioneve dhe konfuzionit rreth memorialeve në Narva, ne duhet të veprojmë shpejt për të garantuar rendin publik dhe sigurinë e brendshme”, ka thënë kryeministrja.

Ndërkhë ministri i Jashtëm Urmas Reinsalu tha se monumente të tilla janë ngritur për të bërë lavde për pushtimin rus dhe nuk kishin vend në hapësirën publike të Estonisë.

Estonia po anulon gjithashtu rreth 50,000 viza të lëshuara për shtetasit rusë.

“Duhet të pranojmë se shoqëria ruse, në përgjithësi, mban gjithashtu një përgjegjësi morale pasive për këto mizori, të cilat ndodhin në tokën ukrainase”, tha zoti Reinsalu.

Letonia, Lituania dhe Republika Çeke gjithashtu kanë ndaluar kryesisht lëshimin e vizave për rusët.

Finlanda po redukton në 10% numrin e vizave që lëshon për rusët.

LEXO EDHE:

Back to top button