Et’hemit në Turqi, sulmuesi rikthehet te goli me një perlë

Valon Et’hemi u shndërrua protagonist për skuadrën e Istanbulspor në ndeshjen që këta të fundit po e luajnë aktualisht ndaj Kasimpasa. Sulmuesi shqiptar realizoi një perlë të vërtetë teksa me një inkursion personal nga e majta e sulmit, goditi bukur nga një pozicion i prirët në hyrje të zonës duke mos i lënë asnjë shans reagimi portierit kundërshtar me topin që u depozitua në fundin e rrjetës. Falë golit të Et’hemit, sfidës iu rikthyhen ekuilibrat pasi ishin miqtë ata që kishin kaluar më parë në avantazh.
Ky ishte goli i pestë për Et’hemin në këtë sezon, me 25-vjeçarin që fiton gjithnjë e më shumë rolin e protagonizmit në elitën turke. Në fakt, goli i mungonte sulmuesit prej gjashtë ndeshjesh, megjithatë tashmë rikthehet te festa dhe e bën në mënyrën më spektakolar.
Kujtojmë se pjesë e Istanbulspor janë edhe Sidrit Guri, Eduard Rroca, Jetmir Topalli dhe Kristal Abazaj. Skuadra e shqiptarëe aktualisht renditet në vendin e fundit të kampionatit me nëntë pikë teksa lufton për mbijetesën në elitë./Supersport/