Eurodeputetët: Referendumi në përputhje me Kushtetutën, nuk duhet refuzuar

Eurodeputetët: Referendumi në përputhje me Kushtetutën, nuk duhet refuzuar

Gazetar: Lluka Andreev

Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor, thonë eurodeputetët e Grupit të të Gjelbërve, të cilët e vizituan vendin. Sipas tyre, procesi i integrimit evropian i vendit është “ndotur” nga çështjet dypalëshe dhe kanë premtuar se do të bëjnë gjithçka që negociatat për anëtarësim të zhvillohen në bazë të rezultateve dhe reformave të arritura.

“Shpresoj se do të kemi sukses të ushtrojmë presion mbi Komisionin dhe Shtetet Anëtare për të siguruar që të mos ketë më bllokime në të ardhmen për çështje të parëndësishme”, tha Tineke Strik – eurodeputet.

Derisa Brukseli shpreson se askush nuk do të keqpërdor të drejtën e vetos gjatë negociatave për anëtarësim të Maqedonisë, mundësia për bllokim të brendshëm të procesit mbetet. Lidhur me iniciativat e fundit për referendum nga VMRO dhe E Majta, eurodeputeti Butikofer thotë se referendum duhet të bëhet nëse është në përputhje me Kushtetutën, por edhe të respektohen rezultatet.

“Përfshirja e qytetarëve në një proces demokratik nuk duhet të refuzohet kurrë nga një demokrat. Por ata që e përdorin procesin demokratik për t’u fshehur pas qytetarëve dhe për t’i mashtruar qytetarët duhet të kritikohen. Nëse dikush thotë se duhet të ndodhë referendum, dhe pastaj nuk i pëlqejnë rezultatet dhe thonë se nuk do ta respektojnë vendimin, ai person nuk është i besueshëm”, u shpreh Reinhard Butikofer – eurodeputet.

Eurodeputetët nuk kanë përshtypjen se aktualisht ka shumicë për amendamentet kushtetuese, ndonëse, siç thonë ata, në disa takime me kolegët e tyre, u është thënë se ka shumë gjasa që të arrihet numri i 80 deputetëve. Deri atëherë, siç shtojnë ata, vendi duhet t’u përkushtohet reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button